E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati i PD: “Oh sa mirë me qenë inferior dhe mediokër”

15-05-2013 / Gazeta 55

Islami i kundërpërgjigjet Majkos: Je bashkuar me një mediokër – në ’95-ën të dola të mbrojtje

“Oh sa mirë me qenë inferior dhe mediokër”. Kështu iu kundërpërgjigj kandidati i PD për deputet në Qarkun e Tiranës, Kastriot Islami, ish kolegut të tij, Pandeli Majko. Ky i fundit kishte ironizuar më herët, kandidimin e tre ish-socialistëve në radhët e demokratëve gjatë ceremonisë që hapi zyrtarisht fushatën elektorale të selisë blu. Deputeti i qarkut të Korçës që këtë herë garon në Tiranë, ka gjetur edhe sloganin për fushatën kundër ish-kolegëve të tij: “Oh sa mirë me qenë tradhtar!”. Një fjali turpëruese, e quan Majko, që tregon mjerimin e politikës. Duke komentuar kalimin në krahun e djathtë të Kastriot Islamit, Gjovalin Kadelit dhe Asllan Dogjanit, ish-kryeministri socialist shkruan se “paturpësia është kthyer në një pikë vajguri në pjatën e “supës” së premtimeve të zgjedhjeve të 23 qershorit”. Në fund të komentit të tij, Majko shpreh respektin për të gjithë kolegët e djathtë e të majtë që i qëndrojnë besnikë vetvetes dhe historisë nga vijnë. Por, Kastriot Islami nuk hesht ndaj fyerjeve të Pandeli Majkos, duke e cilësuar këtë të fundit si pjesë të maskaradës që kryesohet nga Rama dhe Koço. “Turp me pasë në krah personazhe që vijnë dhe kërcënojnë nënën e sëmurë, babain 85 vjeçar dhe familjen time. Turp për ty. Tradhëtar është term stalinist. Armik është term i luftës së ftohtë. Turp. Je bashkuar me një mediokër. Me një të paaftë. Nëse nuk ke guximin të kundërshtosh, së paku mos u bëj pjesë e maskaradës. Nëse ke guxim, jam gati të ballafaqohem, por unë dhe ti ballafaqimin e kemi me të keqen e madhe, që mban emrin Koço dhe Edi. Do të vijë dita që do ta kuptosh, por do të jetë vonë. Unë kam shpëtuar”- deklaron Islami. Ai e quan të pakuptimtë etiketimin e tij si tradhtar nga Pandeli Majko dhe për këtë sjell në vëmendje vitin e largët 1995. “Distancohu se është turp për një personazh të cilit në 1995 i jam gjendur në krah kur e kishin shpallur tradhëtar”- thekson ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›