“Mbështetje Maqedonisë në NATO, të zbatohet marrëveshja e Ohrit”
Krerët më të lartë të shtetit ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi
Krerët më të lartë të shtetit pritën në takime të veçanta ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi. Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë përshëndetjet ndaj Kryeministrit Gruevski dhe zotit Ali Ahmeti për procesin e suksesshëm zgjedhor që realizuan, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare ka gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të gjithanshëm me Maqedoninë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Më pas kryeministri Berisha garantoi edhe një herë se për Tiranën Maqedonia është de facto vend anëtar i NATO-s, ndërsa premtoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s do të ndihmonte pa asnjë rezervë që vendi fqinj të bëhej i tillë edhe de jure. Bashkëpunimi mes dy ushtrive tona, - theksoi Kryeministri Berisha, - veç pjesëmarrjes në misione të përbashkëta në shërbim të paqes, duhet të shtrihet edhe në stërvitjet e përbashkëta për përballimin e fatkeqësive natyrore e deri në furnizimin e përbashkët me mjete ushtarake të dy ushtrive. Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes të Maqedonisë Xhaferi përkrahu idenë e Kryeministrit Berisha për të riparë të gjitha marrëveshjet e vjetra mes dy vendeve, duke filluar me atë të ujërave dhe lidhjen hekurudhore të Tiranës me Shkupin. Zoti Xhaferri theksoi se ne Shkup ishte mirëpritur ndryshimi i toponimisë në zonën ku jeton pakica maqedonase, ndërsa, sipas tij, perceptimi për turizmin në Shqipëri ishte shumë pozitiv. Më herët ministrin I Mbrojtjes Xhaferi u prit nga homologu shqiptar, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, me të cilin diskutuar rreth bashkëpunimit rajonal dhe atyre në kuadër të ISAF në Afganistan. Në kuadrin bilateral, ministri i Mbrojtjes Imami, ka çmuar zhvillimet dhe marrëdhëniet midis dy ushtrive dhe dy Ministrive tona të Mbrojtjes, duke theksuar se gjatë këtyre viteve kemi pasur vizita të shpeshta e të ndërsjella. Ndërkaq ministri i Mbrojtjes Maqedonisë u takuan edhe me presidentin e Republikës Bujar Nishani. Kreu i Shtetit përgëzoi faktorin shqiptar në Maqedoni për mbështetjen institucionale ndaj procesit të demokratizimit të vendit dhe reformave të duhura për integrimin Europian dhe çmoi faktin që shqiptarët e Maqedonisë e shohin të ardhmen e tyre të lidhur ngushtë me të ardhmen e këtij vendi. Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Xhaferi vuri në dukje se Republika e Maqedonisë po bën hapa të shpejtë në drejtim të realizimit të reformave për zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe se shpreson që për çështjen e emrit të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, që do të kënaqë të dyja palët e interesuara. Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, e cila është një frymë e filozofi për zhvillimin dhe stabilitetin e Maqedonisë, përbën gurin e themelit për një Maqedoni të fortë dhe demokratike, anëtare në perspektivë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian.