Mallkon Spiropali
Të rëntë në Lanë celulari ku ke numrat e banditave, hajdutave, mafjozave që i vure në lista për t’i bërë deputetë. Hiqi këpucët Kryetar, përveshi pantallonat, futu në ujrat e Lanës për ta gjetur celularin. Duke kërkuar njërin celular, të humbtë edhe tjetri celular. Duke kërkuar celularat nis e ankohu si e ke zakon; "Pse s’e gjen policia që e ka për detyrë celularin tim?". Atje ku Lana kryqëzohet me autostradën, meqenëse s’ke me vete celulara dhe askush s’e di ku je, do të vij në mendje një pyetje edhe më e madhe; Pse s’më gjen mua policia? Deri në Kamëz minjtë e Lanës do t’i kenë grisur rrobat duke të lënë cullak, pakashumë si në atë plazhin e Francës. Pa celularë, pa rroba në trup, pa një lek në xhep, pa shpresë për tu gjetur, do sillesh i përhumbur nëpër Kamëz derisa të ndodhesh tek rruga Nikola Sarkozi. Aty do të kujtohet Franca, Parisi, dhe do marrësh pak zemër, se do të duket vetja bohem si te kënga e Aznavurit me atë piktorin dhe atë femrën në papafingo që dridhen nga i ftohti dhe uria. Do ta bindësh me ca lajka shoferin e ngrysur të një furgoni të të marri pa pagesë deri në Tiranë. Dhe do niseni, kur befas, furgoni që ishte me drejtim nga Tirana, do kthehet drejt Shkodrës. Do protestosh për paudhësinë e malokut të furgonit që s’i hëngri lajkat. Por ai dhe bashkudhëtarët vetëm sa do buzëqeshin me leckamanin, domethënë me ty, dhe s’do të japin asnjë shpjegim. Furgoni do të hedhë të ura e Baçallekut. Prej aty ngjitju Rozafës më këmbë. Një të arritur në majë të Rozafës me vështrim drejt Shkodrës do t’i thërresësh Keti Bazhdarin; Ketiiiiiiiii..... Do ta marri era emrin e Ketit do ta përplasi nëpër male dhe do ta sjelli përsëri te veshët e tu; Ketiiiiiiii..... I dëshpëruar që Keti s’t’u përgjigj do t’i hedhësh një sy Shkodrës, që të paktën të shohësh e të dëgjosh ato që thotë Koliqi, muzikën e kumbonareve, tisin e mjegullave, magjinë e maleve. S’do shohësh asgjë se ke gabuar vaktin, nuk është mëngjez, është pasdite. Një të zbritur nga kalaja do takosh një shkodran hokatar pak si kloshar që do të marri si vetja. Kloshari do të pyesi; çfarë është pabesia? Ti nuk do t’i përgjigjesh dhe do vazhdosh më këmbë drejt Tiranës. Te Harku i Bërdicës do t’i nxjerrësh dorën një Benzi. Brenda në Benz do jenë një djalë me quka dhe një vajzë bjonde duke u hargalisur. Do t’i lusësh të të çojnë në Tiranë. Ata do bëjnë sikur do pranojnë, por do kthehen nga Vau i Dejës, e drejt e në Pukë, ku do të braktisin anës një pylli me pisha. Te pylli me pisha dhe ketra do kalosh ca ditë duke zjerë supë me gjethe hithre si një Robinson i vërtetë. Derisa andejpari një ditë të kalojë me makinë një opinionist trutrashë i gazetës Shqip, i cili do të të njohi, por nuk do jetë krejt i sigurtë. Dhe do drejtoheni të dy në heshtje kah Qafa e Malit, Rrësheni, Rubiku, Miloti. Rrugës ti do pyesësh trutrashin; Ore, ku janë socialistët e këtyre anëve, pse s’i shoh? Trutrashi do të tregojë drunjtë anës rrugëve, dhe do të thotë, ja ku i ke. Mes Milotit dhe Laçit, një mirditor do zgjasi dorën nga jashtë makinës, do të të kapi veshin dhe do të thotë: Ti Kryetar edhe e di se të paktën gjysma e shqiptarëve nuk të votojnë edhe bën sikur ke të gjithë të drejtën e botës me vete, prandaj për dënim po ta mbaj veshin të shtrënguar 10 minuta. Në Fushë-Krujë trutrashi do të kërkojë falje që nuk të shoqëron dot më tutje se i duhet të kthehet prapë në Pukë ku ka harruar pastën e dhëmbëve dhe ty do të lerë te rruga e Rinasit. Mirëpo tashmë gjithë këto peripeci ty ta kanë hequr qefin e kthimit në Tiranë. Bën si bën gjen një furgon për në Jug. Kur t’i afrohesh Urës së Rrogozhinës do shohësh Shega Ligorin që ka ardhur aty për të bërë plazh në Shkumbin. Ka ngulur në zhavorr bishtin e një çadre shiu të zezë dhe të grisur që po e përdor si çadër dielli. Shega një të parë do të të njohi dhe do të thotë: Pa m’u hiq nga sytë po të them, se po ta fus kokës me bishtin e kësaj çadre. Në Lushnje nuk do guxosh të futesh. Prandaj për të ikur drejt Fierit do t’i biesh nga Divjaka. Ik e ik më këmbë, se tashmë je katandisur aq keq sa asnjeri s’të njeh dhe asnjë makinë s’të merr, në Karavasta do të ndeshesh me një autobus. Me atë autobus kanë ardhur nga Lushnja disa të rinj të FRSSH-it që mbajnë në duar flamuj ngjyrë mavi mbi të cilët shkruhet, RIVDEKJE. FRSSH-istat do bërtasin; Kryetar-kryetar, bëji punët me karar. Në shesh-në shesh, nuk ka Parlament pa FRESSH. Deri në Fier do shohësh fshatra me bukuri rrënqethëse që estetizmin tënd prej piktori do ta trondisin me themel. Do zgjasësh dorën për të rrëmbyer një penel, por dora do të të përgjaket te disa gjemba. I trishtuar do kalosh nëpër varreza dhe Kisha e manastire që nuk e dije se ekzistonin. Do shohësh lokale ku bëhen festa apo dasma a qoka të çuditshme ku edhe këndohet, edhe vallëzohet, por askush s’qesh, të gjithë rrinë seriozë. Ndërkohë, po aty rrotull, do shohësh kortezhe vdekjeje ku më tepër se gjysma e pjesëmarrësve në funeral qesh. Në Fier do hysh pasi të kesh veshur ca rraqe që ja lype një jevgu dhe pasi të kesh ngrënë një supë me barishte që ta dha një myzeqar, nostalgjik i Partisë së Punës. Në të dalë të Fierit afër Levanit do të të marri më së fundi një makinë. Por mu aty makinës do ja zërë rrugën një djalë i ri me thikë në dhëmbë që tërheq zvarrë një dash, që do të thotë: O Kryetar, aman më mëso si bëhet kurban një dash se dua të shkruaj një libër me këtë temë. Në Panaja një traktor bujqësor do të të ndoti me baltë. Duke u tharë në diell nga balta do të shfaqen tre plaka. E para do të thotë: Të foltë Fevziu në rrëzë të veshit. E dyta: Mos rafsh në dorë të Çim Pekës. E treta: Ruaju nga Ilva Tare. Për të evituar përplasjen me Ben Malajn në Vlorë, bjeri me not rretheqark nga Zvërneci, Sazani, Karaburuni, dhe kthehu prapë në terra ferma në Palasë. Aty vidh nji kavanoz mjaltë se s’u bë qameti, dhe ktheje të tërin me eks. Afër Himarës, mbi një bregore anës udhës, do shohësh një njeri dyll të verdh’ tamam si Bankua i Makbethit. Do jetë Ilir Gjoni. Iliri, me vështrim nga deti, do të thotë: Unë mund ta fus të gjithë detin në një bidon, bidonin në furgon, fugonin në Tiranë, dhe ta derdh detin para Partisë Socialiste. Ti do habitesh nga kjo shprehje shumkuptimëshe, dhe ashtu i hutuar do largohesh më në jug. Me fshatin tim mos u trazo, se janë ca aty që të kapin me hu. As në Labëri mos hyr, se gjen belanë. Kthehu në Këlcyrë. Sapo të hysh në grykën e Këlcyrës, i kam thënë të dali të të presi një i vdekur nga një varrezë aty afër. Me të vdekurin do bësh një diskurs të thellë për frikën, llojet dhe nënllojet e ndryshme të frikës, nga frika e gjirizave si ato të minjve që të grisën rrobat kur kërkoje celularat, deri të frika nga banditët që të detyrojnë t’i bësh deputetë. Në Përmet do takosh një polic trafiku në pension. Me policin do bësh një muhabet të thellë dhe të gjallë mbi kalbjen e zonave të ndryshme të trurit, shenjat, pasojat, masat parandaluese. Bledi Mane do të japi ca rroba për tu mbuluar disi. Bledi do të japi gjithashtu edhe një makinë që të të shoqërojë në Tiranë. Por kryesorja që do të japi Bledi është haberi se dy celularat nuk i kishe humbur. I kishte marrë pa dijeninë tënde një nga ndihmësit e tu bythpambukë nga kurioziteti për të parë disa gjëra. Me arratisjen tënde nëpër Lanë në kërkim të celularëve, në pamundësi për të të gjetur ku je, ai ndihmësi yt kurioz pervers, i paskësh dërguar celularat në polici. Pas hetimeve përkatëse, policat ishin menduar dy dit’ e dy net’ rresht nëse ishte a s’ishte e udhës ata celulara t’ja dorzonin ndonjë gazete. Më së fundi e kishin konsideruar të kotë sepse gazetat përmbajtjen e celularave e marrin me mënt. Helm e vrer për vuajtjet dhe poshtërsinë e bashkëpuntorëve që të sjellin ngatërresa me celulara dhe me gjithçka, do nisësh kthimin. Pa vajtur në Leskovik, te një kthesë dhe një burim, do shohësh një kope me dhen që ka zënë rrugën dhe dy çobenë me krrab’ e me gunë. Aty do dëgjosh; Ta grifsha mishin çik e nga nje çik. Të këndofte kukumjaçka mbi çati, të zëntë flama e pulave. Do tmerrohesh. Por kur ta vësh re mirë do kuptosh se s’e kishin me ty por me njëri-tjetrin. Vuajtjet që mund të t’i shkaktonte Korça e Majko bolshevikut po t’i fal këtë herë. Pak matanë Librazhdit do hysh në muhabet me një gollobordas për dritën, errësirën, progresin, mpleksjet misterioze të fatit tënd me fatin e të tjerëve etj, por do të duhet ta braktisësh atë muhabet se do jetë duke u errur dhe përpara ke të tjera vuajtje dhe mallkime të merituara. Në Xibrakë do t’i shpëtosh për qime një atentati me domate të kalbura. Në Elbasan do të japin haberin se aktivistë të Partisë Socialiste janë nisur sa andej-këndej me makina dhe fuoristrada nëpër Shqipëri, duke të kërkuar pa mundur të të gjejnë, se janë bërë lëmsh nga rrugët e reja dhe të asfaltuara. Në Krrabë, një puntor i tunelit do të thotë si me shaka: T’u boftë partia mihone jarebi!
...