“Kandidati për President, nga radhët e selisë blu”
Tritan Shehu, deputet i PD-së
Një proces transparent në përputhje me Kushtetutën dhe përmes dialogut është rruga e PD për tek kreu i ri i shtetit. Deputeti demokrat Tritan Shehu rikonfirmon qëndrimin e demokratëve për një kandidat nga radhët e selisë blu për postin e presidentit, edhe pse emrat konkretë sipas tij do të vijnë nga lideri i koalicionit, Sali Berisha. “Në lidhje me PD-në, Berisha ka theksuar qartësisht pozicionin e selisë blu, i cili është një pozicion krejt i drejtë dhe tërësisht normal. E rëndësishme është dhe ne jemi të bindur që procesi do të zhvillohet në mënyrë transparente, me diskutime dhe me dialog gjithëpërfshirës me faktorët politik shqiptarë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”, u shpreh Shehu.
I pyetur nëse mazhoranca duhet t’i druhet një aleance mes Edi Ramës dhe Ilir Metës përtej zgjedhjes së kreut të shtetit pas takimit mes tyre, Shehu thotë se, “jo absolutisht, nuk shoh asnjë shqetësim. Unë gjithmonë jam për takime pasi takimet janë të frytshme për politikanët”.
Për deputetin demokrat, çështja e ndryshimeve në qeveri, mund të flitet vetëm pas zgjedhjes së presidentit, pavarësisht disa pretendimeve të ardhura nga radhët e mazhorancës.
“Ky është një problem që, nëse do diskutohet, do jenë pjesë e axhendës pas zgjedhjes së Presidentit. Ai që bën analizat dhe sintezat e qeverisë, është Kryeministri”, theksoi më tej, deputeti demokrat Tritan Shehu.