Kronika/Reforma zgjedhore pezull, shtyhet afati për KQZ-në e kutitë
Shtyhet sërish afati për përfundimin e reformës zgjedhore. 48 orë përpara skadimit të afatit zyrtar të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën elektorale, demokratët dhe socialistët nuk kanë rënë ende dakord për dy çështjet më delikate të këtij procesi.
Formatimi i KQZ-së dhe mënyra sesi do të procedohet me ankimimet zgjedhore, janë çështjet që mbajnë pezull përfundimin e reformës brenda datës 15 maj.
Takimet informale mes deputetëve, Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri kanë qenë të shpeshta kohët e fundit, por përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka futur në një “luftë nervash” dy partitë e mëdha. Të majtët dhe të djathtët pohojnë se do të ketë sërish shtyrje afati për zhvillimin e punës së këtij komisioni, por nuk kanë të përcaktuar një datë konkrete se kur drafti i reformës do të marrë firmën përfundimtare nga gjashtë partitë parlamentare.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga spektri politik shqiptarë të përfundojë reformën zgjedhore përpara zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Nga ana tjetër, pjesë integrale e procesit të reformës elektorale është bërë edhe dokumenti i shkruar nga 26 parti politike për të reflektuar propozimet e partive të vogla në ligjin e ri zgjedhor.