E Diel, 1 Nëntor 2026

Neritan Ceka: “Sipas Kushtetutës, mazhoranca zgjedh Presidentin”

14-05-2012 / Gazeta 55

Ish-presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Berisha, shprehet se Presidenti i ri duhet të jetë një figurë e konsoliduar politike. Sipas tij, politika duhet të gjejë konsensus për çdo rast, si mes palëve, ashtu dhe brenda koalicionit qeverisës. Për Cekën, mazhoranca i ka votat për të bërë propozimin e kandidaturës së saj. “Për çdo parti politike është e qartë se vetëm PD i ka numrat për të bërë propozimin konkret përmes firmave të deputetëve në Parlament”, u shpreh Neritan Ceka.
Për Cekën, profili politik i presidentit të ardhshëm nuk do të cenonte balancën mes pushteteve, pasi tre presidentët e fundit, pavarësisht se janë propozuar nga një parti politike, nuk kanë mbajtur apo mbështetur linjën politike të partisë që i ka propozuar. “Unë do të them se përvoja e deritanishme ka treguar se të paktën tre presidentët e fundit pas miratimit të Kushtetutës në 1998, pavarësisht se kanë dalë nga funksionarë të lartë të partisë apo janë përzgjedhur nga një rreth i afërt i një partie të caktuar, në të gjitha rastet nuk janë bërë pjesë e linjës politike të partisë që i ka propozuar. Dua të kujtoj se Presidenti i Republikës, megjithëse zgjidhet tashmë dhe me 71 vota, ai mund të largohet vetëm me 94 vota, praktikisht është i paprekshëm. Edhe nëse mund të bëheshin 94 vota për të shkarkuar Presidentin, kërkesa duhej të kalonte nga Gjykata Kushtetuese. Kështu që ky element e bën President krejtësisht të pavarur, të futet të personalitetin e tij, të futet në kanalet e ligjit dhe të luajë shpeshherë dhe një politikë personale, nisur nga këto dy faktorë që përmenda. Kjo është arsyeja që nuk i trembem shumë profilit të tij politik. Rëndësi ka që të ketë integritet, të respektohet ndjesia e popullit që është në pritje të një figure dhe që s’duhet të befasohet nga personalitete të panjohura dhe në këtë rast është një akt i dinjitetit të politikës shqiptare për figurën më të lartë të shtetit”, u shpreh Ceka.
Lidhur me ambicien e tij si kandidat në garën presidenciale i propozuar nga PAD, Ceka thotë se, “përzgjedhja është bërë mbi të gjitha honorifike si dhe nisur nga karriera e tij e gjatë politike. Ky është një propozim më shumë për të përcaktuar disa kritere, se sa një kandidaturë konkrete. Kjo do të thotë që për të qenë President i Republikës duhet të kesh një karrierë të gjatë politike, duhet të jesh profesionit, pra duhet të kesh qenë deputet i lidhur me procesin ligjor, politik-bërjen dhe natyrisht të kesh një background historik, të vish nga diku dhe të kesh vënë disa tulla në ndërtesën e shtetit. Synimi i kësaj është që të hiqet dorë nga improvizimet për kandidaturën e Presidentit, të futet kjo procedurë në kanale kushtetuese, por dhe politike”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›