Kandidatja e PS në Fier: PD ka urdhëruar komisionerët të vonojnë nisjen e votimit

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste në Fier, Kiduina Zaka deklaroi sot se PD ka për qëllim që të dëmtojnë procesin zgjedhor më 11 maj.
Në një deklaratë, Zaka tha se PD ka urdhëruar komisionerët e saj që të mos paraqiten në kohë në qendrat e votimit, me qëllim vonimin e nisjes së votimit të dielën.
“PS e qarkut Fier denoncon urdhrat e paligjshëm që drejtuesit politikë të PD në këtë qark po iu japin komisionerëve të tyre për të mos u paraqitur në qendrat e votimit në orarin e caktuar, për të kryer veprime që vonojnë nisjen e votimit apo veprime të tjera të paligjshme deri në dëmtimin e procesverbaleve dhe kutive të votimit me qëllim prishjen e këtij procesi. Për ne është mëse e qartë se kjo strategji destruktive e drejtuesve politikë të PD në Fier lidhet me humbjen e pashmangshme dhe madhështore që do të marrë në 11 maj, një humbje historike, për të cilën janë të vetëdijshëm dhe prandaj kërkojnë me të gjitha format prishjen e procesit”, u shpreh ajo.
Më tej, Zaka tha se PS iu bën thirrje të gjithë komisionerëve të PD dhe të forcave të tjera politike të mos bien pre e metodave të paligjshme dhe kriminale të drejtuesve të tyre, por të zbatojnë detyrën, siç e ka parashikuar ligji.
“Çdo shkelje e ligjit do të faktohet me prova të qarta dhe do të denoncohet me forcë në organet ligjzbatuese. Askush s’do ta çojë nëpër mend se do të fshihet pas ombrellës partiake nëse shkel ligjin dhe cenon procesin zgjedhor në çdo formë të mundshme. Iu bëjmë thirrje qytetarëve të Fierit që të shkojnë të vendosur pranë kutive të votimit dhe të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të votuar pa u ndikuar nga presionet apo problematikat që mund t’ju krijojnë ata që tashmë e kanë të qartë rezulatin e humbjes më 11 maj”, theksoi Zaka.