Kandidatura e Zaganjorit, takohen Patozi dhe Ruçi

Dy krerët e grupeve parlamentare janë takuar sot për të diskutuar në lidhje me kandidatin e mazhorancës për president të vendit, Xhezair Zaganjori.
Takimi Patozi-Ruçi po zhvillohet në kryesinë e Kuvendit ndërsa pritet të shihet nëse opozita do të pranojë ose jo votimin e Zaganjorit në seancën e sotme plenare.
Raundi i parë i bisedimeve mes dy krerëve të grupeve parlamentare të dielën u cilësua një dështim. Socialistët, të cilët që në fillim ishin shprehur për një kandidaturë mbi palët e lidhën më pas procesin e zgjedhjes së presidentit edhe me zgjidhjen e çështjes së reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe me heqjen e imuniteteve si për deputetët dhe për zyrtarët e lartë, të konsideruara si të rëndësishme nga Brukseli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ndërkohë, Partia Socialiste ka paralajmëruar një refuzim të mundshëm ndaj kandidaturës së parë të shumicës, duke shpjeguar se nuk ka patur një proces të mirëfilltë bisedimesh që opozita të japë konsensusin e saj.