E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, maxhoranca çon për votim kandidaturën e Xhezair Zaganjorit

Berisha me aleatët

Xhezair Zaganjori

Maxhoranca ka miratuar dje si kandidat për president, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori.
Zaganjori vjen nga fusha e drejtësisë. Ai ësh Doktor i Shkencave Juridike dhe Profesor i Asociuar, njëkohësisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese që prej 2003-shit, ndonëse i ka mbaruar afati në vitin 2010.

Pavarësisht kësaj, Zaganjori vazhdon ende të ruajë këtë post deri në emërimin e anëtarëve të rinj.

Dita e sotme do të jetë e ngjeshur porsa u përket procedurave për presidentin e ri. Kandidatura e Zaganjorit do të shqyrtohet fillimisht në Komisionin e Ligjeve. Më pas, komisioni do të hartojë dhe do të paraqesë një raport në seancën plenare që do të mblidhet në orën 10:00.

Pavarësisht nëse bëhen ose jo votat, pritet që votimi të bëhet, për të konsumuar në këtë mënyrë raundin e parë të votimit të kreut të shtetit, pasi presidenti i ri në raundet e para shpallet me shumicën e cilësuar të votave.
Gjithashtu, edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet sot në mëngjes për të vendosur nëse do të marrë pjesë në raundin e parë të votimit për kreun e shtetit. Opozita, e cila nuk ka ende një kandidaturë të saj për president, pritet të vendosë për mospjesëmarrje në këtë raund, referuar dhe deklaratës së kreut të PS, Rama sipas të cilit raundi i parë do të digjet, duke e argumentuar këtë me mosarritjen e konsensusit dhe për faktin se kërkohet dhe një tryezë e partive parlamentare për të vendosur jo vetëm për presidentin, por dhe për tre pikat e tjera, që janë reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe heqja e imunitetit të deputetit.

Zaganjori ka lindur në Shkodër në vitin 1957. Ai është lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador në Gjermani. Në vitin 1993 merr gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike dhe në vitin 2009 Profesor. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

*    *    *

Në përfundim të takimit të partive të koalicionit qeveritar, u bë e ditur se në orët e ardhshme do të publikohet lista e kandidatëve për President të Republikës. Krerët e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Republikane dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet pritet mesa duket në këtë takim kanë marrë në shqyrtim emra konkret por ato ende nuk janë berë publike.

Pas takimit, Meta u shpreh se Shqipëria mund të zgjedhë presidentin që nesër që do të thotë se mund të ketë kandidat që merr 84 vota.

Emrat do të përzgjidhen nga fusha politike, drejtësia dhe diplomacia. Nuk e kemi ende listën, pasi nëse do ta kishim do ta komunikonim, por po punojmë për këtë, dita nuk ka përfunduar dhe nata gjithashtu është para, tha kreu i LSI-së.

Takimi i Berishës me Metën, Mediun dhe Idrizin vjen në një kohë kur nesër pritet të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit.

Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit do të mbahet në orën 10:00 ndërkohë një orë më parë pritet të mblidhet komisioni i ligjeve për të përcaktuar procedurën dhe për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet.

Emrat nuk janë për raundin e parë por për tu diskutuar në vijim për të arritur një konsensus më të gjerë, është shprehur Mark Marku, deputet i PD-së në emisionin Tonight. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›