E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatura milionere për anëtarë të Gjykatës së Lartë

Të gjitha kandidaturat duhet të dorëzojnë deklaratat e pasurisë

Shaban Sulçe
Transparenca dhe justifikimi i pasurisë ka qenë një prej kritereve kryesore të vendosura nga grupi i ekspertëve të ngritur nga Presidenti i Republikës për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në morinë e 105 kandidatëve që aplikuan për t’u përzgjedhur në këtë institucion të rëndësishëm të sistemit gjyqësor, pjesa më e madhe e tyre duket se e plotëson këtë kriter, duke qenë se ka realizuar në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike detyrimin kushtetues për të dorëzuar deklarata e tyre të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gazeta “Albania” zbardh sot deklaratat e pasurisë të 10 prej kandidaturave që janë ofruar për t’u zgjedhur anëtarë të Gjykatës së Lartë. Këto kandidatura janë disa nga emrat më të njohur të sistemit gjyqësor, të cilët kanë aplikuar për t’u zgjedhur nga Kuvendi anëtarë të Gjykatës së Lartë. Nga ajo çka shihet në deklaratat e pasurive të tyre konstatohet se të gjithë pretendentët për anëtar të Gjykatës së Lartë rezultojnë me një pasuri të kënaqshme dhe me shifra milionere.

Kriteret
Pas një pune 10-ditore, në datën 1 të këtij muaji grupi i ekspertëve ligjorë, që po ofron asistencën juridike mbi standardet në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ka shqyrtuar propozimet e ardhura nga grupet parlamentare si dhe propozimet e ekspertëve për kriteret dhe standardet e vlerësimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të këtij procesi, grupi i ekspertëve i sugjeroi presidentit që në vlerësimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të marrë në konsideratë edhe kriteret e mëposhtme: Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore. Vjetërsia në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit, të ketë qenë sa më afër Gjyqësorit.
Për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna. Integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale. Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparentë dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij. Tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit (vendime gjyqësore, pretenca, parashtresa). Tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike.) Të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Të inkurajohet karriera gjyqësore.

105 kandidatura
Pas rrëzimit të 5 dekreteve nga ana e Kuvendit, institucioni i Presidentit zgjodhi një tjetër rrugë përsa u përket kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Presidenca njoftoi se do të ndiqte procedurat e aplikimit për të gjithë ata persona të sistemit, të cilët ishin të interesuar për t’u zgjedhur në këtë institucion të rëndësishëm. Në përfundim të afateve të aplikimit, Presidenca njoftoi se ishin bërë 105 aplikime për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ajo çka u konstatua ishte përjashtimi i 5 prej kandidatëve, të cilët u dekretuan nga presidenti, por u rrëzuan pas votimit në Kuvend. Altina Xhoxhaj, Zamir Poda, Kristaq Traja, Mehdi Bici dhe Artan Zeneli nuk do të kenë mundësi të rivotohen për anëtarë të Gjykatës së Lartë, pasi kandidaturat e tyre u rrëzuan nga Kuvendi gjatë votimit të disa javëve më parë.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›