E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punën Komisioni i ri Parlamentar për Kodin Zgjedhor



Komisioni i posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor ka zhvilluar dje mbledhjen e parë të tij në drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë fjalës së saj Topalli kërkoi realizimin e një pune intensive nga anëtarët e komisionit në mënyrë që puna e tij të përfundojë brenda muajit korrik. “Ky është një aksion i madh politik dhe një ndër angazhimet më të rëndësishme për të përmbushur detyrimet ndaj shqiptarëve, por edhe kërkesat e ndërkombëtarëve. Ky komision është në një format të ri, i cili mundëson një vendimmarrje të shpejtë, por dhe transparencë”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit. Përfaqësuesit e dy partive të mëdha u shprehën në mbështetje të kryetares Topalli për mbylljen e reformës zgjedhore brenda këtij muaj dhe vlerësuan ngritjen e komisionit në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor të hartohet me konsensusin e të gjitha partive parlamentare. Por, përfaqësuesit e partive të vogla kundërshtuan vendosjen e të drejtës së vetos në vendimmarrje nga dy partitë e mëdha. Komisioni i posaçëm për Kodin Zgjedhor ka për detyrë hartimin e amendamenteve të nevojshme ligjore për ruajtjen e standardeve në zgjedhje, mbështetur në rekomandimet e paraqitura në raportin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Komisioni përbëhet nga kryetarët Ilir Rusmali i Partisë Demokratike dhe Fatmir Xhafaj i Partisë Socialiste; nga anëtarët Arian Madhi, Engjëll Bejtja, Ndue Shpani, Spartak Braho, Petrit Gjoni, Tritan Shehu dhe Spiro Peçi.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›