Kandidatura për në KLD, avokati i Berishës fut në krizë parlamentin
Opozita kërcënoi dje me bojkot të reformës në drejtësi nëse shumica vazhdon të shkelë procedurat parlamentare. Shkak është bërë diskutimi i kandidaturës së Neshat Fanës për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të cilin nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, pretendoi procedura të kundraligjshme. Në muajin nëntor të vitit të shkuar, në Kuvend u paraqitën dy kandidatura, Alfred Karamuça dhe Maks Haxhia. Karamuça ishte propozim i 28 deputetëve të djathtë, ndërsa Maks Haxhia gëzonte mbështetjen e të dyja palëve. Por tërheqja e Pashk Ujkës nga firma e tij për Haxhinë bëri që kandidatura e tij nga ana procedurale të mos ishte e rregullt. Por PS-ja pretendon se ka sjellë edhe 20 firma të tjera për ta bërë kandidaturën të vlefshme. Ndërkohë që katër deputetë të PD-së i kanë tërhequr firmat nga kandidatura e Karamuçës. Vetëm para pak ditësh në Kuvend është paraqitur kandidatura e Neshat Fanës, që duket se gëzon mbështetjen e mazhorancës.
Firmat
Duke qenë se dy kandidatët e parë nuk i kanë firmat e mjaftueshme, Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim vetëm kandidaturën e Neshat Fanës, duke e miratuar atë në mungesë të opozitës e cila qysh më parë braktisi komisionin. "Sepse e gjithë kjo skemë e ndërtuar ka për detyrë që t'i imponojë Kuvendit një kandidaturë të vetme, gjë që do të thotë se do të shkelë konkurrencën normale. Ne do ta kundërshtojmë edhe në rast se Parlamenti e voton, pasi kjo gjë është e paligjshme, si pasojë e një procesi të paligjshëm. Nëse vazhdohet kështu, ne nuk mund të jemi dhe nuk do të jemi pjesë e një tavoline të reformës për drejtësi, e cila do të plotësonte interesat e ngushta të grupit tuaj politik", - tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Duke akuzuar Kryetaren e Kuvendit, Topalli, se e ka bërë këtë shkelje me qëllim që në seancë të shkonte vetëm kandidatura e Fanës, deputeti socialist tha se firmat janë mbledhur edhe për Maks Haxhinë, procedura për të cilin ende nuk ka nisur.
Përplasjet
Menaxhimi i Gjyqësorit duket se ka shkaktuar dhe kulmin e krizës mes qeverisë dhe presidencës. Rasti më konkret dhe më i freskët lidhet me konfliktin publik që plasi me nënkryetarit të KLD-së(dhe vartës i Presidentit) Kreshnik Spahiut, dhe ministrit të Drejtësisë Alibeaj. Akuzat u ashpërsuan aq shumë saqë Spahiu e konsideroi sulmin ndaj tij si një “Gërdec të dytë”.. Në një bisedë të pak ditëve më parë me Zërin e Amerikës Spahiu e konsideron artificial konfliktin e lindur me ministrin e Drejtësisë Alibeaj dhe antikushtetuese kërkesën për verifikimin e veprimtarisë së tij si nënkryetar. Tashmë duket qartë se është kthyer gati në një luftë të ftohtë përplasja mes ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë, Kreshnik Spahiu. "Do të thosha që gjithçka është artificiale”, - shpjegon zoti Spahiu. “Prej shumë kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka pasur një harmoni të plotë dhe një vendimmarrje konsensuale, përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD-së. Me bindje ju them se çdo kërkesë apo pretendim i ardhur nga ministri i Drejtësisë deri sot është pranuar në 100 për qind të rasteve, sikundër ka pasur një bashkëpunim shumë serioz".
Ilir Rusmali në krye të Komisionit të Ligjeve
Parlamenti votoi dje deputetin Ilir Rusmali si kryetar i Komisionit të Ligjeve. Tashmë Rusmali duket I “rehabilituar” pas skandalit të përgjimit të vëllait të tij nga ish Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Sajmir Shehri, që solli dhe dorëheqjen e Rusmalit si Ministër I Drejtësisë. Porsa deputeti dhe ish kryesuesi i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja u shpall si kandidat për postin e Ministrit të Arsimit, Rusmali ishte më i favorizuari për ta zëvendësuar Bejën. Anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike bënë një javë më parë të ditur se brenda radhëve të deputetëve është piketuar pikërisht deputeti Rusmali për të kryesuar komisionin më të rëndësishëm të Kuvendit. Kjo, për faktin se Rusmali është i profesionit jurist dhe ka eksperiencë të gjatë në fushën e ligjeve, veçanërisht të reformës në drejtësi dhe në atë zgjedhore. Ilir Rusmali aktualisht është bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Me emërimin e Fatos Bejës në krye të ministrisë së Arsimit pritet që ish-ministri i Drejtësisë të marrë postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Megjithatë vendimi u bë zyrtar vetëm dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë.
29 Korrik 2008