Topalli: Ky ishte sesioni i konsensusit dhe reformave
TIRANË- Me mbylljen e punimeve, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë dje një përmbledhje të aktivitetit parlamentar, duke e cilësuar gjashtëmujorin e fundit si historik për Kuvendin e Shqipërisë. “Këtë 6- mujor, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese. Këtë 6- mujor, Parlamenti miratoi ligjet themelore, të reja, të buxhetit, të tregut të lirë, të shoqërive tregtare, të falimentimit, ligjin për reformën në Sistemin e Drejtësisë. Ky 6-mujor është 6-mujori i konsensusit, ku, natyrisht, kulmore dhe historike mbetet reforma kushtetuese, e cila hoqi nenet e krizave, ndryshoi sistemin zgjedhor, ndau Shqipërinë nga “Dushku”, mori hapa të rëndësishme për të ndarë Shqipërinë nga e shkuara e saj e hidhur. Një reformë kjo që forcon themelet e shtetit, të parlamentarizmit dhe të stabilitetit politik”,- tha dje Topalli. Megjithatë, shumë projekte po aq të rëndësishme janë shtyrë për në muajin Shtator, si ai për spiunët, Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi. Por, Topalli shprehet me optimizëm se nuk e shikon të vështirë fillimin e sesionit të ardhshëm parlamentar. “Unë e shoh me shumë optimizëm sesionin e ardhshëm. Unë e shoh si sesionin që do të bëjmë të mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e NATO-s”,- tha ajo.