PS: Spiunët, Topalli të hapë dosjen e saj
Reagimi, “Topalli e gatshme të verifikohet 300 herë të tjera, ndërkohë që kryetari i PS s’është verifikuar asnjëherë”
TIRANË- Diskutimi i projektligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve ka risjellë debatin mes dy partitë kryesore në vend. Gjithçka ka nisur nga një deklaratë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sipas së cilës opozita ka kërkuar kohë për ligjin e spiuneve. “Uroj që kohën e kërkuar ta përdorë në mënyrë që të marrë vendimin e duhur, për t’u ndarë nga e kaluara e tyre e rëndë”,- tha dje Topalli, një deklaratë e cila ka sjellë edhe reagimin e shpejtë të një prej zyrtarëve socialistë, Ylli Manjani. Nën cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Sigurisë e Administratës pranë Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani deklaroi se nëse Kryetarja e Kuvendit kërkon t’i japë një shtysë këtij procesi, atëherë, sipas tij, ajo duhet të hapë simbolikisht dosjen e saj. “Projektligji ynë vazhdon të rrijë mbyllur në sirtarin e saj, bashkë me hijet e ish-Sigurimit të Shtetit, që janë sot deputetë e ministra. Por, nëse zonja Topalli kërkon sinqerisht t'i japë një shtysë reale këtij procesi, mund të hapë simbolikisht për publikun, dosjen e saj”,- tha dje Manjani.
Reagimi i Topallit
Një deklaratë e tillë ka sjellë reagimin e Kryetares së Kuvendit e cila pikërisht për dosjen e pastërtisë së figurës kishte folur vetëm pak minuta më parë. Madje Topalli, përmes zëdhënëses së saj, Suela Ruseti, ka qenë tepër e ashpër në reagimin zyrtar duke iu drejtuar kreut të opozitës, Edi Rama, me cilësimin e vjetër. “Për akuzën personale të fabrikuar nga Edvin Rama, dua t’i them këtij tellalli të mashtrimit, se pastërtia e figurës së Kryetares së Kuvendit është kontrolluar tre herë nga komisione të ngritura nga Partia Demokratike e nga Partia Socialiste, dhe ajo është e gatshme të verifikohet edhe 300 herë të tjera, ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste nuk është verifikuar asnjëherë”,- tha dje Suela Ruseti. Në reagimin zyrtar citohej se konsensusi është shumë i çmuar, por jo më shumë se e vërteta në këtë proces.