Kandidimi, Rama mban peng grupin parlamentar
Në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të qershorit, e ardhmja e grupit aktual parlamentar të PS-së mbetet peng i kryetarit Edi Rama. Ai vazhdon të mbajë të fshehur planin e tij për listën e re kandidatëve të 28 qershorit. Deputetët ankohen se nuk kanë asnjë lloj informacioni lidhur me kandidimin dhe siç pranojnë ata, “këtë e di vetëm Rama”. Për ta, nuk ka ende asnjë ide për kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për deputet dhe në horizont nuk duket asnjë përgatitje konkrete. Pikëpyetjen për të ardhmen e tyre politike nuk e vuajnë vetëm deputetët e thjeshtë. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se duke nisur nga numri dy i partisë, Gramoz Ruçi, e duke vazhduar edhe me shumë të tjerë, nuk e kanë ende idenë se në çfarë qarku do të kandidojnë. Sipas të njëjtave burime, as kujdestarët e qarqeve, anëtarë të kryesisë, nuk e kanë të sigurt se do të jenë të parët e listës në zonat ku do të drejtojnë shtabet elektorale, e disa prej tyre kanë shprehur pakënaqësi për qarqet që u ka caktuar.
Lista
Kryetari i PS-së ka deklaruar disa muaj më parë se listat zyrtare të kandidatëve për deputetë do të publikohen 45 ditë para datës së zgjedhjes ose dy javë para nisjes së fushatës elektorale. Kjo ka sjellë shqetësimet e para të deputetëve aktualë, të cilët kërkojnë që në mënyrë jozyrtare t’u komunikohet nëse do të jenë sërish kandidatë dhe në çfarë qarku. Plani i Ramës sjell që të gjithë të punojnë për interesat e partisë, pa mundur dot të intensifikojnë ndikimin e tyre në zonën ku mund të kandidojnë. Heshtja e tij ka shkaktuar qetësi në selinë rozë si rrallë ndonjëherë. Rama ka bërë të ditur se kandidimi për deputet në zgjedhjet e qershorit varet nga performanca e tyre në Parlament, por edhe me bazën. Ndaj, duke mos qenë të sigurt për planet e kryetarit Rama, deputetët janë detyruar që aktualisht të punojnë në zonat që përfaqësojnë. Tashmë dihet që pjesa më e madhe e listës së kandidatëve do të jenë njerëz të besuar të Ramës, por edhe emra intelektualësh e biznesmenësh që vijnë nga qarqet. Të pakët janë emrat që e kanë të sigurt kandidimin dhe qarku i Beratit është ai që ka një ide disi më të qartë se cilët mund të jenë kandidatët, si Braçe e Bello. Ndërkohë që për qarqet e tjera nuk dihet ende asgjë, edhe pse përfliten emra që gjithsesi mbeten jozyrtarë dhe të pakonfirmuar. Emrat e përfolur deri më tani në media janë përgënjeshtruar nga Rama i cili i ka kërkuar grupit parlamentar socialist që të mos marrë për bazë asnjë listë që publikohet pasi nuk janë zyrtare. Ndërsa brenda selisë flitet për një plan për të kandiduar grupin parlamentar aktual, por ata që nuk gëzojnë mbështetjen e Ramës, do të jenë pas numrit pesë në listë, çka e ul mundësinë e fitores së tyre. Nga e majta, vetëm LSI-ja ka zbardhur disa emra, e kryesisht ata që do të jenë të parët në disa qarqe, si Nasip Naço në Berat apo Monika Kryemadhi në Dibër.
Gramsh, Rama: Do të dyfishojmë buxhetin për fshatin
Kryetari i Partisë Socialiste zhvillon takimin e radhës me vullnetarët e kësaj partie. Në këtë takim me të rinjtë të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrjetit të vullnetarëve të Partisë Socialiste, Rama është përqendruar tek trajtimi i barabartë i shtetasve, jo thjesht dhe vetëm para ligjit, por mbi të gjitha para mundësive për punësim dhe mirëqenie qofshin ata në veri apo në jug, qofshin në qytet apo në fshat. "Qeveria e fitores së 28 qershorit do të bëjë më shumë se të gjitha qeveritë e këtyre 18 viteve të marra së bashku për të garantuar ushqimin normal të familjeve shqiptare, duke luftuar me ide të reja e vullnet të ri në radhë të parë për bujqit e fermerët shqiptarë. Ne s'do ta lëmë fshatin shqiptar jashtë horizontit të vëmendjes së Parlamentit dhe jashtë listës së punëve të qeverisë, po do ta bëjmë kryefjalë të punës sonë", - tha ai. Duke vënë theksin tek rimëkëmbja e fshatit, si një ndër mundësitë për të siguruar çmime të përballueshme në qytet, dhe mirëqenie në fshat, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë premtimin për dyfishim të buxhetit që shkon në mbështetje të fshatit.