E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i bustit të diktatorit, Topi dekoron protagonistët



Protagonistët e rrëzimit të statujës së diktatorit Hoxha me 20 shkurt të ‘91-shit, sot dekorohen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, është pjesë e kujtesës së çdo shqiptari. Historianët kanë tentuar të përkufizojnë 20 shkurtin e vitit 1991 si “fillimi i fundit të diktaturës” apo si “fillimi i një historie të re”. Në Shqipëri kishte nisur era e ndryshimeve, ishte krijuar Partia Demokratike dhe ishin shpallur zgjedhje të reja pluraliste. Por 723 studentë ishin ngujuar në grevë urie. Forca e tyre frymëzoi qytetarët e thjeshtë të cilët kërkonin të gdhendnin në histori kontributin e tyre. Pikërisht kjo datë cilësohet si fundi i diktaturës për shkak se ajo që u nis nga studentët, u përkrah nga qytetaria. Busti i diktatorit u rrëzua dhe një kamion IFA ua dërgoi zvarrë studentëve, si për t’u treguar se “ia dolëm”. Në 18-vjetorin e përkujtimit të kësaj date, Presidenti Bamir Topi do të dekorojë 12 protagonistët e asaj ngjarjeje. Ndryshe nga herët e tjera, të dekoruarit janë të panjohur, qytetarë të thjeshtë, por që brenda 100 mijë vetëve, u dalluan me guximin e tyre për të rrëzuar simbolin më të frikshëm të Shqipërisë.

Protagonistët

Saimir Maloku do të dekorohet me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Për pjesëmarrësit e asaj dite, Saimiri mbahet mend për thirrjet e tij të shumta për ndaljen e gjakderdhjes. Në mes të turmës së revoltuar, Maloku thërriste për ndaljen e dhunës dhe moskonfrontimin me forcat e policisë, duke bërë të mundur ndaljen e gjakderdhjes. Ai mbahet mend edhe për shkak se ka qenë i dënuar në burgjet e komunizmit për një arsye ndryshe nga të tjerët. Në terrin komunist ai gjeti mundësinë duke shpikur antenat-kanaçe për të parë kanalet e huaja.

Adrian Heta do të dekorohet me Medaljen e Artë të Mirënjohjes. Adriani ishte shoferi i cili tërhoqi zvarrë bustin e rrëzuar të diktatorit. Ai mbahet mend se mes protestës, ndihmoi një polic të gjakosur nga gurët e protestuesve dhe e dërgoi në Spitalin Ushtarak. Kontributi i Adrianit në rrëzimin e bustit u pikas nga forcat e rendit të cilin e arrestuan dhe e burgosën tre muaj. Më pas u largua në Gjermani dhe prej 18 vitesh jeton atje.

Xhovalin Çokani mbahet mend nga pjesëmarrësit se ishte në radhët e para të protestës. I ardhur nga një familje e persekutuar politike, Çokani ishte nga më aktivët. Ai ishte i pari që u ngjit në majën e Pallatit të Kulturës dhe rrëzoi parullën gjigande “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë”. Xhovalin Çokani do të nderohet nga kreu i shtetit me “Medaljen e Artë të Mirënjohjes”.

Hajredin Fratari njihet nga shumë si një biznesmen i suksesshëm. Ai është një ish i-përndjekur politik, i cili ka vuajtur 8 vjet burg në diktaturën komuniste. Fratari ishte një nga protestuesit që ndihmoi në rrëzimin e simbolit famëkeq të diktaturës. Presidenti Topi do ta nderojë kontributin e tij me Medaljen e Artë të Mirënjohjes.

Astrit Hatellari kujtohet si qytetari që i lidhi kavon në qafë bustit të Enver Hoxhës. Ai ndihmoi edhe në organizimin e protestës. Hatellari do të dekorohet me medaljen “Pishtar i Demokracisë”

Albert Risilia ndihmoi në realizimin e të vetmes parullë gjigande të asaj proteste. Një ditë para, në konviktin e jetimëve në Tiranë, ai me bojë këpucësh shkroi në perden e dhomës së tij “Liri Demokraci”. Parulla priu para protestuesit më 20 shkurt. Alberti do të dekorohet me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.

Sot nga Presidenti Topi do të dekorohen edhe gra. Hyget Borova, Lida Bezhani, Liliana Llapaj, Vera Rada, Sanije Vojka dhe Lindita Hamiti do të nderohen me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Ato ishin pjesëmarrëse në protestën madhështore ku dhe gjatë saj janë dhunuar nga ana e policisë.

Mes dekorimeve është edhe një shoqatë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Kreu i shtetit do të dekorojë këtë sindikatë me “Medaljen e Artë të Mirënjohjes”.

Protagonistët e 20 shkurtit 1990 do të dekorohem me motivacionin se kanë kontribuar në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri. Ata do të nderohen edhe për kontributin e tyre për ndaljen e gjakderdhjes. Të dekoruarit ndikuan në drejtimin e protestuesve në sheshin “Skënderbej”, tek busti i diktatorit, ndërkohë që protestuesit lëshonin thirrje për hyrje me forcë në bllokun qeveritar. Ata ndihmuan në ndalimin e ndjekjes së dy makinave të mëdha të policisë nga disa të rinj që dyshoheshin që ishin provokatorë. Me thirrjen “Ushtria është me ne”, u bë e mundur që protestuesit të mos dhunonin 10 ushtarë të ndërhyrjes së shpejtë të cilët u rrethuan nga protestuesit tek Liceu Artistik. Më 20 shkurt 1990, u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha në qendër të kryeqytetit, u rrëzua parulla më e madhe dhe u dogjën veprat e Enver Hoxhës tek librari “Flora”.

Protagonistët

“Medalje e Artë e Shqiponjës”

Saimir Maloku

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë

“Medalje e Artë e Mirënjohjes”

Adrian Heta

Xhovalin Çokani

Hajredin Fratari

“Pishtar i Demokracisë”

Astrit Hatellari

Albert Risilia

Hyget Borova

Lida Bezhani

Liliana Llapaj

Vera Rada

Sanije Vojka

Lindita Hamiti

Krimet e komunizmit, medalje mirënjohjeje për Qendrën Shqiptare të Rehabilitimit të Torturës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekorojë sot Qendrën Shqiptare të Rehabilitimit të Viktimave të Torturës me “Medaljen e Artë të Mirënjohjes”. Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Viktimave të Torturës ka një kontribut të veçantë në vitet pas rënies së komunizmit në lehtësimin e dhimbjes dhe torturës. Qendra ka dhënë një kontribut të vyer në ndihmën për mijëra ish-të përndjekur, duke u dhënë atyre ndihmë për të kapërcyer torturën që kishin pësuar në diktaturë. Adrian Kati, drejtori i kësaj qendre, tregon se ajo u formua në vitin 1994. “Qendra është ngritur në vitin 1994 me ndihmën e norvegjezes Berit Becker. Që nga ai vit, qendra ka dhënë ndihmë dhe asistentë për 15 mijë viktima të torturës komuniste”, - thotë ai. Qendra ka një kontribut edhe në dokumentimin e krimeve të komunizmit. Me projekte të veçanta është bërë e mundur mbledhja e shumë dëshmive të ngjarjeve të ndodhura në diktaturë, duke krijuar një arkiv të rrallë. Adrian Kati thekson se duhet dënuar krimi komunist. “Ende nuk është kuptuar rëndësia e dënimit të krimit komunist. Ne kemi bërë sa kemi mundur që të mbledhim me ndihmën tonë modeste shumë informacion mbi krimin komunist”, - thotë Kati. Qendra ka një ekip të specializuar me ekspertë të cilët japin ndihmën e tyre për viktimat e torturës si dhe në kalimin e traumës. Kati thekson se është dhënë një ndihmë shkencore nga Bardhyl Belishova, i cili ka një kontribut në punën e qendrës. Por qendra ka kontribuar edhe gjatë krizës kosovare. Në vitin 1999, një staf i zgjeruar i kësaj qendre u ka ardhur në ndihmë 70 mijë kosovarëve të cilët kishin nevojë për ndihmë të specializuar për të kaluar traumën e luftës. “Pas çlirimit të Kosovës, një pjesë e stafit që punoi këtu, hapi Qendrën e Rehabilitimit në Kosovë, e cila ishte shoqata e parë atje”, - tregon Kati. Qendra ka një rol edhe në botimin e librave shkencorë, por edhe tituj që hedhin dritë mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Mbi 100 tituj kanë dalë në dritë nga ndihma e Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Torturës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›