Jala, Bode: Do të dëmshpërblejmë banorët e dëmtuar
Qeveria do të dëmshpërblejë financiarisht banorët e dëmtuar nga projekti i Jalës. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se në rast se vërtetohet që në bregdet janë prishur ndërtime në mënyrë joligjore, atëherë qeveria do të dëmshpërblejë pronarët çdo qindarkë. “Qeveria për të gjitha rastet që dëmton në mënyrë të paligjshme pasurinë e individëve, detyrohet të dëmshpërblejë. Ky është rregull i përgjithshëm jo vetëm për këtë zonë, por për të gjithë territorin e vendit, në qoftë se ka raste kur ndërtimet kanë qenë të lejuara dhe janë prishur ndërtime me leje, qeveria është e detyruar të bëjë dëmshpërblimin”, - tha Bode. Ministri i Financave foli edhe për konkluzionet e Bankës Botërore në lidhje me raportin e Panelit të Inspektimit. Sipas tij, Banka Botërore tregoi se problemet kanë të bëjnë në vetë atë dhe me procedurat e brendshme të saj. “Kur themi që ka lidhje mes projektit dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, kjo do të thotë që ka qenë kërkesë e vetë BB-së për të bërë prishjen e ndërtimeve pa leje në mënyrë që projekti të zhvillohej sipas parametrave që kishte vetë programi i qeverisë shqiptare me Bankën. Pra, kjo është lidhja dhe që e konstaton paneli. Ne kurrë nuk e kemi thënë publikisht një gjë të tillë, sepse qeveria ka prishur ndërtime pa leje edhe në zona që nuk janë të lidhura me projektin, pasi qeveria është e detyruar të respektojë dhe zbatojë kuadrin ligjor shqiptar”, - tha Bode. Ai shtoi: “Ndërtimet pa leje në zonat turistike është tërësisht e qartë që qeveria ka detyrimin për t’i prishur për të mos lejuar ndërtime pa leje në zonat turistike”. Sipas Bodes, edhe ligji i legalizimeve nuk përfshin në proces këto ndërtime. “Por ajo që ishte një zell i papërmbajtur i opozitës për të thënë se prishja e ndërtimeve pa leje është bërë në mënyrë klienteliste nga ana e qeverisë, hidhet poshtë nga paneli i cili konfirmon që ka lidhje të drejtpërdrejtë midis prishjeve dhe projektit, sepse i ka kërkuar vetë Banka prishjet e ndërtimeve pa leje në këtë zonë”, - shtoi Bode. Ai mori në mbrojtje projektin, duke thënë se të metat kanë të bëjnë me vetë misionin dhe objektivat e Bankës. “Projekti, nga pikëpamja e zhvillimit të zonës dhe i konceptimit të një projekti të integruar për zhvillim ekonomik, infrastrukturor, social, komunal etj. është i plotë. Ajo që quhet nga ana e Bankës se ka pasur të meta, është fakti se përcaktimi në projekt bie ndesh me misionin dhe objektivat e praktikat e BB-së. Pra, është një çështje tërësisht e brendshme e tyre. Banka nuk mund të futet në projekte apo operacione që bien ndesh me parimet e saj”, - deklaroi z. Ridvan Bode.