Koalicioni i ri, Ngjela takon Ndokën
Spartak Ngjela, 24 orë pas krijimit të partisë "Ligj dhe Drejtësi", hyn në selinë e PDK-së duke zhvilluar bisedime me Nard Ndokën për grupimin e ri politik "Poli i Lirisë". Sipas Ndokës, fillimi i javës së ardhshme do të shënojë zyrtarizimin e grupimit "Poli i Lirisë" mes PDK-së, LZHK-së së Dashamir Shehit, "Ligj dhe Drejtësi" të Spartak Ngjelës dhe jo vetëm. "Tashmë besoj që është çështje ditësh që në fund të fundit të zyrtarizohet poli. Unë do ta konsideroja polin tashmë të njëjtë dhe pa asnjë lloj problemi, por zyrtarizimi do të jetë në ditët që do të vijnë. Ne tashmë kemi një draft-marrëveshje që po e shkëmbejmë mes njëri-tjetrit për ta firmosur të gjithë së bashku në aspektin juridik dhe një të marrëveshjeje politike", - deklaroi Nard Ndoka, kryetar i PDK-së.
Ai tregoi mënyrën e funksionimit të “Polit të Lirisë". Sipas Ndokës, grupimi do të jetë një bashkim i partive politike, i potencialeve të këtij grupimi, një mozaik vlerash dhe ngjyrash brenda këtij grupimi, ku çdo formacion politik do të ketë peshën e vet elektorale e cila do të përfaqësohet nesër në jetën parlamentare në bazë të asaj mbështetjeje që do të ketë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.