E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, tesera për 400 anëtarë të rinj në Elbasan



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Elbasanit. Gjatë këtij takimi, u dorëzoi teserën e LRI-së dhe LSI-së 400 anëtarëve të rinj. Gjatë këtij takimi, Meta u shpreh se LSI-ja është e vetmja forcë politike gjatë këtyre dy dekadave, e cila u ul për dy vjet me radhë dhe diskutoi me Sindikatën e Pensionistëve, me ekspertët brenda dhe jashtë vendit dhe e vetmja forcë politike që në 20 vjet tranzicion paraqiti një projektligj realisht të standardeve evropiane për kujdesin ndaj pensionistëve dhe gjithë moshës së tretë në vendin tonë. “Prindërit dhe gjyshërit tanë, - tha Meta, - kanë punuar aq shumë dhe janë shpërblyer aq pak dhe përgjigjja nga qeveria e Sali Berishës ishte që ne nuk mund të bëjmë dot të pasur pensionistët, kur ne kërkuam për gjyshërit tuaj që vetëm t’u plotësohen nevojat më minimale për të përballuar atë varfëri të skëterrshme, të paktën për 380 mijë pensionistë në të gjithë Shqipërinë”. Më tej, Meta theksoi: “Vetëm pak ditë më parë LSI-ja nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me presidentin e Sindikatës së Pensionistëve, prof. Isa Goricën, duke u angazhuar që në programin e qeverisë sonë të 29 qershorit, do të jetë realizimi i detyrimeve të shoqërisë sonë, të shtetit tonë, të qeverisjes sonë ndaj pensionistëve, ndaj moshës së tretë, sepse ne duam një Shqipëri e cila nuk i braktis ata të cilët sakrifikuan për vendin tonë. Ne duam një Shqipëri që ndërtohet e ecën në bazë të mirënjohjes ndaj gjeneratave që kanë punuar më shumë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›