E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koldashi “tradhton” ish-shikasit: Remziun ia dorëzova Kumbaros

SHKRUAN: Habjon Hasani 03-03-2011 15:16

Ish-oficeri i SHIK-ut në gjykatë: U qëndroj deklarimeve të vitit 2003. “Remzi Hoxha akuzohej për spiunazh. Operacioni drejtohej nga Arben Sefgjini, ndërsa të arrestuarin ia dorëzuam Kumbaros në Laprakë”

Tiranë Ish-oficeri i SHIK-ut, Avni Koldashi i ka qëndruar dëshmisë së tij të vitit 2003, për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gjatë seancës së djeshme, ku fjala i takon mbrojtjes, Koldashi ka pohuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda se, ndodhej në sallë në respekt të trupit gjykues, edhe pse kishte një problem të rëndësishëm familjar. Megjithatë, ai pohoi se dëshminë e tij e ka dhënë në vitin 2003 për organin e akuzës. Pas qëndrimit të të pandehurve, prokurori Xhevat Hana ka lexuar dëshminë e Avni Koldashit, ku shpjegohej me detaje itinerari i Remzi Hoxhës, pak para se të zhdukej, në vitin 1995. “Në vitin 1995, unë isha shef i bazës së vëzhgimit nr.10 të SHIK-ut në Tiranë. Një ditë, aty nga vera apo vjeshta, më ka thirrur zv/drejtori Arben Segjini, apo drejtori Mehmet Hoxholli, në prani edhe të Ilir Kumbaros, ku më kanë dhënë si objekt në vëzhgim një person, që më vonë mësova se quhej Remzi Hoxha. Ai kishte dhe pseudonim, por nuk e kujtoj. Mbaj mend se në vendim shënohej se ndiqej për spiunazh. Inspektor zone ishte Qerim Cenko, ku figuronte emri i tij, dhe si kryetar dege ishte Ilir Kumbaro, ku figuronte emri i tij dhe ishte prezent në këtë bisedë”, - thotë në deklarimin e tij, Avni Koldashi. Sipas tij, një ditë më parë ai ishte thirrur me urgjencë nga zv.drejtori Arben Sefgjini, i cili i kishte thënë se: “Shteti demokratik është në rrezik. Rrezikohet pushteti nga një terrorizëm në shkallë të gjerë. Për të shmangur këtë, duhet të merret urgjent në bisedë operative një person”. Ky person ishte pikërisht Remzi Hoxha. Më pas, në deklarime Avni Koldashi ka zbardhur tërësisht edhe mënyrën se si u organizua rrëmbimi i Remzi Hoxhës, fati i të cilit mbetet ende i errët. “Arbeni më tha se do t’i afroheshin objektit me tre makina dhe do të vepronin sipas urdhrave të mia. Operacionin e drejtonte Arben Sefgjini me radio në kanalin “0”, i cili ishte dhe kanali kryesor i SHIK-ut qendër. Unë isha me Riza Shehun e Bajram Bulicën. Si makinë përdorëm një “Tipo” ngjyrë ulliri, me shofer Shpëtim Pashollin. Kjo makinë na u dha nga Arben Sefgjini dhe ishte makina e kryetarit të Degës së II-të, Kadri Rrapi, i cili vetë nuk ishte prezent. Bashkë me ne ishte edhe një makinë, ose dy makina të tjera. Një Audi i bardhë i Ilir Kumbaros, i cili ishte me shoferin e tij dhe tjetra Fuoristradë ngjyrë gri ose blu. Kur ju afruam objektit, dikush ka verifikuar nëse ishte personi brenda dhe në radio. Arbeni tha se objekti ishte brenda dhe dy vëzhguesit që e njohin, ta marrin ta fusin në makinë. E futëm në makinë Remzi Hoxhën dhe Arben Sefgjini urdhëroi të udhëtonim drejt Lezhës”, - shkruhet në deklarimin e Koldashit, dhënë para prokurorisë në vitin 2003, i cili u lexua dje në gjykatë. Më pas, bazuar në këtë deklarim të Koldashit, pasi kanë mbërritur në Laprakë, Arben Sefgjini i urdhëroi me radio që të ndalonin automjetin e tyre dhe Remzi Hoxhën t’ia kalonin kryetarit të degës së Parë, Ilir Kumbaros, i cili shkoi vetë dhe e mori në këtë zonë të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›