Lind inspektorati për kontrollin e arsimit parauniversitar
Tiranë, 4 Shkurt NOA - Me propozimin e
ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e
Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (IKAP), person juridik,
publik dhe buxhetor, në varësi të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
IKAP-ja e ka selinë në Tiranë dhe do të jetë institucion
i posaçëm i inspektimit, monitorimi, vlerësimit e këshillimit të cilësisë së
arsimit parauniversitar dhe funksionimit të strukturave menaxhuese të tij
(shkolla, drejtori arsimore rajonale, zyra arsimore).
Kryeinspektori emërohet, lirohet dhe
shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Kurse inspektorët emërohen nga kryeinspektori,
sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.8549, datë
11.11.1999, Statusi i nëpunësit civil.
IKAP-ja kryen këto funksione kryesore:
a) Inspekton, monitoron, vlerëson, këshillon
dhe nxjerr përfundime mbi zhvillimin e procesit mësimor-edukativ, menaxhimin e
bazës materialo-didaktike të shkollës;
b) Verifikon pajtueshmërinë e veprimtarisë të
institucioneve arsimore me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, udhëzimet e
ministrit të Arsimit dhe Shkencës për DAR/ZA-t dhe për institucionet shkollore;
c) Monitoron problemet që paraqiten në shkollë
me tekstin shkollor;
ç) Monitoron zbatimin e dispozitave normative
të shkollës, kodit të etikës së mësuesit, punën e bordit të shkollës
si dhe të organeve demokratike të saj;
d) Inspekton zbatimin e rregulloreve të
maturës shtetërore dhe provimeve të lirimit.
e.r/NOA