Ndryshime në pagesat për punën gjatë festave zyrtare
Tiranë, 3 Shkurt NOA Qeveria miratoi sot
disa ndryshime në vendimin e saj të 24 tetorit 2002, për kohëzgjatjen e punës
dhe të pushimit në institucionet shtetërore, për punën në ditët e festave
zyrtare dhe të pushimit javor.
Vendimi i sotëm që u miratua nga Këshilli i
Ministrave erdhi me propozimin e Kryeministrit në mbështetje të Kushtetutës,
ligjit Statusi i nëpunësit civil, dhe të neneve 76-108, të ligjit Kodi i Punës
i Republikës së Shqipërisë.
Si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë
pushimi dhe punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në këto ditë.
Qeveria sot vendosi që kur festa zyrtare bie
në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën
kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare
kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të
barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë, jo
më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose
pas kryerjes së saj.
Ndërkohë, kur festa zyrtare bie në ditët e
pushimit javor, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një
shtesë page prej 25 për qind.
e.r/NOA