Kosova dhe Bosnja sfidojnë stabilitetin në Europë
Dëshmi në Kongresin Amerikan
Kreu i Inteligjencës Kombëtare ka paralajmëruar se çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri dhe gjendja e tensionuar ndëretnike në Bosnjë vazhdojnë të mbeten burim tensionesh
Ngjarjet në Ballkan sërish do të paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në Europë në 2010-ën, ka thënë drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Denis Bler, në dëshminë me shkrim që paraqiti dje para Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Gjendja vazhdimisht e tensionuar ndëretnike në Bosnjë dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, vazhdojnë të mbeten burime tensionesh, që kërkojnë angazhim diplomatik dhe të sigurisë nga Perëndimi”, ka thënë Bler. “Ne vlerësojmë se SHBA-të dhe Europa kanë ndikim thelbësor në Ballkanin Perëndimor. Natyra e angazhimit të tyre, përfshirë këtu edhe mundësinë e Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve kyçe anëtare të BE-së për të punuar bashkërisht dhe për të prezantuar një front të përbashkët, do të ndikojnë thelbësisht në kursin e ardhshëm të rajonit”, ka thënë shefi i Inteligjencës Amerikane. Duke rikujtuar se mbi 60 vende në botë, përfshirë këtu edhe 22 vende anëtare, nga 27 sa ka Bashkimi Europian, e kanë njohur tashmë shtetin e Kosovës, Bler megjithatë ka tërhequr vërejtjen, se Prishtina do të vazhdojë të mbetet e varur nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm, sikurse edhe për diplomacinë dhe mbështetjen potenciale për sigurinë për të konsoliduar edhe më shumë shtetësinë e saj. “Një pjesë e madhe e popullatës serbe vazhdon të shikojë nga Beogradi dhe i reziston integrimit në institucionet e Kosovës, edhe pse kjo qasje duket se po ndryshon ngadalë në jug të Kosovës. Ndikimi i qeverisë në rajonet e banuara me shumicë në veri të vendit është ekstremisht i dobët”, ka thënë Bler gjatë dëshmisë së dhënë. Sipas tij, prania e NATO-s, edhe pse e reduktuar, është ende e nevojshme për të shmangur dhunën dhe mbikëqyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës është thelbësore për efektivitetin e kësaj force dhe zhvillimin demokratik”. “Liderët e Serbisë kërkojnë të ardhmen europiane dhe presidenti Tadiç synon një përparim të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por Beogradi nuk po jep shenja se do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Beogradi duket se është në pritje të mendimit këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë nga Prishtina, mendim ky i cili pritet nga mesi i vitit, para se të vendosë sesi t’i qaset Kosovës. Serbia në vazhdimësi mbështetet te Moska për përkrahje politike dhe mbështetje ekonomike”, ka thënë Bler. Ai ngriti edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se ndasitë etnike atje përbëjnë sfidë për stabilitetin në Europë. Sipas tij, në procesin politik në Bosnjë ende dominojnë “axhendat etnike”, ndërsa reformat kanë ngecur, për shkak të dallimeve ndërmjet tre grupeve më të mëdha. Ndërsa duke folur për Afganistanin, Bler tha se aftësimi i forcave të sigurisë do ta rrisë përgjegjësinë e tyre për bartjen e sigurisë tek autoritetet afgane. Në pjesën për Rusinë, Bler ka theksuar përpjekjet e Moskës për të ushtruar ndikimin e saj tek ish-fqinjët sovjetikë, veçanërisht Gjeorgjinë. Zyrtari i lartë i kundërzbulimit gjithashtu ka vërejtur se vazhdon “dhuna sporadike e shkallës së ulët” në rajon, e cila mund të nxisë kthimin e luftimeve.
Shefi i diplomacisë finlandeze në Prishtinë
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është ende larg”
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë, para se të shpresojnë të marrin statusin e vendit kandidat për integrim në BE. Kështu ka deklaruar gjatë vizitës së tij të djeshme në Prishtinë ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksander Stub. Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi, Stub tha se Brukseli aktualisht po merret me çështjen e Turqisë, por pas një raundi diplomatik që kishte zhvilluar këto ditë në pesë vende të rajonit, ai u bind se edhe Ballkani Perëndimor kërkon një vëmendje të veçantë. “Mesazhi im, sapo të kthehem në Bruksel, drejtuar kolegëve të mi atje, do të jetë se ne duhet ta marrim Ballkanin Perëndimor seriozisht”, deklaroi Stub. Sipas tij, çështjet në Bosnje e Hercegovinë nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Ministri i Jashtëm finlandez po ashtu ka përmendur edhe mosmarrëveshjet rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë, si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Këto mosmarrëveshje apo edhe probleme, sipas tij, duhet të zgjidhen para se këto vende të shpresojnë se do të marrin statusin e kandidatit për integrim. Një mesazh të veçantë, ministri finlandez ka thënë se do ta ketë edhe për pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke i inkurajuar ato që ta bëjnë një gjë të tillë. Si procesi i njohjes së Kosovës, ashtu edhe integrimi i rajonit, sipas tij, do të marrin mjaft kohë. Por në fund, Stub tha se do të dëshironte që t’i shihte Kosovën dhe Serbinë, siç u shpreh ai, “dorë për dore” të integruara në BE. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi e ka siguruar diplomatin finlandez, se Kosova ka përcaktim të qartë se i tërë rajoni duhet të ketë perspektivë europiane, përfshirë edhe Serbinë fqinje. “Qëllimi ynë është të integrohemi sa më parë në NATO dhe në Bashkimin Europian. Shteti ynë ka ndërtuar bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjithë vendet e rajonit, por edhe për perspektivën e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, -deklaroi Thaçi, duke shprehur besimin e tij se edhe çështja e veriut, si problem ende i pazgjidhur, do të përmbyllet, siç tha ai, suksesshëm gjatë këtij viti. Ndërkaq, ministri finlandez ka adresuar edhe një porosi për institucionet e Kosovës, në lidhje me rëndësinë që ka vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit. “Nëse nuk keni sundim të ligjit dhe gjyqësi të reformuar, atëherë do të rrezikohen investimet nga jashtë dhe e ardhmja e Kosovës”, përfundoi Stub.
Kacin “i tërheq veshin” Jeremiçit
“Integrimi s’është ndeshje futbolli”
Raportuesi i Parlamentit Europian, Jelko Kacin, ka kritikuar shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, lidhur me deklaratën e tij mbi procesin europian të integrimit të Serbisë. Sipas shefit të diplomacisë serbe, Beogradi e ka bërë pjesën e tij dhe tani “topi ndodhet në oborrin e Bashkimit Europian”. Kacin reagoi, duke i kujtuar Jeremiçit se në këtë proces nuk ka të bëjë asgjë me futbollin, por me të ardhmen e Serbisë. “Nuk hyn BE-ja në Serbi, por Serbia po anëtarësohet në BE”, ka thënë Kacin në një intervistë për DW. Sipas tij, për sa kohë Jeremiçi do të mendojë se detyra e tij është që të komentojë ndeshjet e futbollit, do të shërbejë për përafrimin e Serbisë me BE-në. Kacin ka deklaruar se Bashkimi Europian momentalisht nuk ka përgjigje pozitive në kërkesën e Serbisë për kandidaturën e anëtarësimit në union dhe përsëriti se kushti thelbësor mbetet bashkëpunimi me Hagën. Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Miguel Angel Moratinos,vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, ka vlerësuar se Serbia ka realizuar përparim të dukshëm në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe do të mundet relativisht shpejt të përparojë në integrimet evropiane. Moratinos, në intervistën për “Veçernje Novosti”, theksoi se Spanja, e cila aktualisht kryeson BE-në, pret që shtetet anëtare të BE-së, deri në qershor, të mund të zhbllokojnë procesin e ratifikimit të marrëveshjes për anëtarësimit të Serbisë të nënshkruar në prill të 2008-së.