Eneida Tarifa fiton “Top Fest 7” me këngën e Florit
Ajo e ndiente se ky ishte viti i saj. Me një këngë të Florian Mumajesit, Eneida Tarifa fitoi “Top Fest7”. Kur mori në duar trofeun, që konvertuar në para kushtonte 2 milionë lekë të reja, Eneida Tarifa tha se kishte marrë dhjetëra mesazhe, ku i thoshin se këtë herë do të fitonte ajo. Dhe kështu ndodhi. Kënga e Florit, me titullin “Nuk jam vetëm” i solli fat këngëtares, e cila nuk harroi të thoshte se pas kësaj kënge, ishte pikërisht ai, por edhe gjithë njerëzit që e kishin mbështetur në këtë konkurrim të gjatë. Pas javësh të gjata prezantimi, u zhvillua mbrëmë nata finale e edicionit të shtatë të Festivalit “Top Fest”. Një mbrëmje maratonë, gjatë së cilës u ndanë dhjetë trofe. Kështu çmimin për interpretuesin më të mirë e meritoi Mariza Ikonomi, grupi më i mirë u shpall “Troja”, këngëtari më i mirë mashkull, Valon Shehu, këngëtarja më e mirë femër, Besa Kokdhima, kënga më e mirë Hip-Hop e R&B, u shpall ajo e kënduar nga Jonida Maliqi dhe Big Basta, kënga më e mirë Pop-Rrok, kënduar nga Kamela, etj. Një çmim i veçantë u nda natën finale, në kujtim të themeluesit të “Top Medias”, Dritan Hoxha. Një çmim që e meritoi fituesi i edicionit të parë të këtij festivali, kantautori, Alban Skënderaj. Festivali “Top Fest”, një produksion i “Top Medias”, këtë vit erdhi nën drejtimin artistik të Dorian Gjonit, regji të Ergys Lubonjës, skenografi të Fatmir Mingës dhe prezantimin e Albana Osmanit dhe Ledion Liços. E veçanta e këtij edicioni të shtatë ishte interpretimi “live” i orkestrës dhe i këngëtarëve, çka tregoi se në të vërtetë nuk ishte edhe aq i thjeshtë.
Prej 130 këngëtarëve dhe grupeve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që nisën këtë maratonë, në 4 netët gjysmëfinale, u ngjitën në skenë për publikun dhe teleshikuesit 40 grupe dhe këngëtarë si Eneda Tarifa, Valon Shehu, Besa, grupi “Jericho”, “NRG Band”, Jonida Maliqi& Big Basta, Grupi “Troja”, Gerti Gjoni, Mariza Ikonomi, Karolina Lopez etj., për të shpallur 10 më të mirët në natën finale. çmimi i madh u vendos prej një votimi popullor, përmes telefonit dhe votimit të jurisë. Votave të publikut iu bashkuan votat e jurisë profesioniste të “Top Fest”, përbërë nga Alban Dudushi në cilësinë e kryetarit, Arbana Osmani, Alban Nimami, Xuxi dhe Alban Skënderaj.