Nis shpërndarja e lekëve për tekstet shkollore
Jonida Tashi
Nis shpërndarja e lekëve për tekstet shkollore në arsimin bazë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se kanë nisur procedurat për kompensimin e librave. Për këtë, çdo shkollë ka njoftuar prindërit e nxënësve që të paraqiten pranë zyrave postare për tërheqjen e parave. Kushti kryesor dhe i vetëm që prindërit dhe nxënësit e arsimit bazë 9-vjeçar të marrin kompensimin është pasja e faturës tatimore, që ata kanë marrë pas blerjes së librave.
Faturat
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se këtë vit një pjesë e madhe e prindërve nuk i kanë dorëzuar faturat tatimore. Sipas MASH-it, kjo ka bërë që nisja e këtij procesi të shtyhej në kohë, pasi drejtoritë arsimore kanë qenë në pritje të marrjes së këtyre faturave. Megjithëse në fillim të shitjes së teksteve shkollore Ministria e Arsimit deklaroi se kompensimi do të realizohej në masën 90 për qind, prindërit do të marrin vetëm gjysmën e lekëve që kanë shpenzuar për blerjen e librave të fëmijëve. Vetëm disa kategori nxënësish do të përfitojnë kompensim të librave në masën 100 për qind. Në këto kategori përfshihen nxënësit e verbër, para dhe tetraplegjikë, fëmijët jetimë.
Faza
Shpërndarja e subvencionit të teksteve shkollore, sipas dikasterit të arsimit është në fazën ku çdo drejtori arsimore rajonale ka marrë nga MASH-i fondin prej 415 milionë lekë të reja dhe çdo prind që ka blerë librat dhe ka dorëzuar faturat do të marrë kompensimin që i takon. Deri sot në rrethet Kukës, Lushnjë, Mat, Elbasan, Korçë, etj, fondi i subvencionit është tërhequr nga prindërit në masën mbi 90 për qind. Për herë të parë, këtë vit nga kompensimi i librave shkollorë do të përfitojnë edhe nxënësit e shkollave private. Buxheti i shtetit parashikon çdo vit një fond për kompensim të librit shkollor, i cili shpërndahet sipas një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Arsimit dhe atij të Financave. Qëllimi është mbështetja financiare e përdoruesve, pra nxënësve dhe prindërve, me qëllim zvogëlimin e kostos së librave shkollorë që blen çdo familje për çdo vit shkollor.
15 Janar 2009