QSUT, shirat mykin tavanet e pavijoneve
Pavijonet e QSUT-së “mbyten” nga lagështia e shirave që depërtojnë në muret e brendshme të dhomave. Situata paraqitet tepër alarmante megjithëse pacientët dhe mjekët kalojnë indiferentë përpara kësaj pamjeje. Në të gjitha pavijonet, shirat e këtyre ditëve kanë lënë gjurmët e tyre. Kudo mund të shohësh tavane të lagura që vijnë erë myku, pasi uji ka mundur të depërtojë në brendësi të ambientit. Ndërsa oborri i ngjan një lumi të madh që merr me vete të gjitha mbeturinat që janë hedhur sa andej–këndej për t’i nxjerrë në rrugën kryesore, ku kalojnë urbanët dhe makinat me qytetarë. Ndërkohë, dhomat janë po aq të ftohta sa ambienti jashtë, pasi Drejtoria e QSUT-së nuk ka vendosur që të vihet në funksion sistemi i ngrohjes në të gjitha dhomat. Panorama që duket jashtë spitaleve është e njëjtë me atë brenda ambienteve të mbyllura. Në korridoret e ndërtesës së sëmundjeve të brendshme, ose siç quhet ndryshe spitali 6-katësh i QSUT-së, në katin e parë, cepat e mureve vijnë era lagështirë dhe uji lë shenjat e tij të vazhdueshme. E njëjta situatë shfaqet edhe në ndërtesën e Kirurgjisë së Përgjithshme, ku muret janë të lagura nga shiu që futet në të çarat e tavanit. Drejtoria e QSUT-së ende nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë për riparimin e këtyre të çarave, që nga viti në vit rëndohen edhe më tepër.
15 Janar 2009