E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanosi në telefon deputetin Balla, identifikohet vlonjati

10/01/2012  Balla mohon të ketë njohje me kërcënuesin, dosja i delegohet prokurorisë së Vlorës

TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla është kërcënuar nga një person nga Vlora, tashmë i idetifikuar nga prokuroria e Tiranës. Personi që në muajin Tetor të 2011 kërcënoi me jetë deputetin socialist, është identifikuar fillimisht nëpërmjet numrit të tij dhe pas lokalizimit të antenave telefonike ka rezultuar se ai është një banor i qytetit të Vlorës, por për arsye hetimore nuk bëhet publik emri i tij. Lidhur me zbulimin e identitetit të kërcënuesit të Taulant Ballës, vetë deputeti i PS është thirrur pak kohë më parë në prokurorinë e kryeqytetit ku ka dhënë sqarime nëse e njihte ose jo personin që e kishte kërcënuar. Mësohet se para hetuesve, deputeti Balla ka pohuar se nuk kishte asnjë njohje me personin e fotografuar nga hetuesit dhe se ai nuk e kishte takuar asnjëherë gjatë jetës së tij. Ndërkohë, nga ana tjetër personi i dyshuar për veprën penale të “Kanosjes për shkak të detyrës”, ka mohuar para hetuesve të ketë telefonuar në drejtim të numrit të Taulant Ballës. Nga deklarimet e dhëna në prokurori ai ka përjashtuar çdo mundësi se ai vetë ka kanosur me jetë deputetin Balla. Ai ka ngritur në prokurori alibinë se ndonjë person i paautorizuar prej tij, mund të ketë përdorur numrin duke kryer telefonatën kërcënuese ndaj Taulant Ballës. Nisur nga kjo situatë dhe për shkak të territorit juridiksional nga ku është kryer telefonata, prokuroria e Tiranës ka shpallur moskopetencën ligjore, duke ia deleguar dosjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Vlorës. Burime pranë kësaj të fundit thanë për gazetën “Metropol” se janë duke kryer disa veprime hetimore, pasi deri në këto momente në dosje ende nuk ekzistojnë provat për kualifikimin e veprës penale të “Kanosjes për shkak të detyrës”. “Në rast se nuk do të sigurohen prova të tjera, atëherë dosja do të pushohet” - thanë burimet pranë prokurorisë. Në muajin Tetor të vitit të kaluar, një telefonatë pa numër (Privato) ka mbëritur në celularin e Ballës, duke i pohuar: “Shumë e ke zgjatur gojën, ta presim gjuhën e do të ta mbyllim”. Pikërisht ky kërcënim vinte menjëherë pas përfundimit të interpelancës në Parlament, ku Balla akuzoi ministrin Genc Pollo për korrupsion me shtrimin e fibrave optike të internetit. Në kallëzimin e depozituar në prokurori, Balla parashtroi se kanosja me jetë, erdhi në një moment kur ai sapo kishte përfunduar interpelancën në Parlament me ministrin e Genc Pollo, të cilin e akuzoi publikisht për akuzën e korrupsionit. Madje, për të provuar këtë pretendim, së bashku me kallëzimin penal, deputeti Balla u ka dorëzuar prokurorëve edhe një kopje të fjalimit në tekstin e të cilit ai ngriti disa çështje që kishin të bënim me koncesionin e shtrirjes kombëtare së fibrave optike të internetit. Pas kësaj prokuroria e Tiranës filloi menjëherë hetimet, por pas një muaji rezultoi se “kërcënuesi” nuk kishte lidhje me përplasjen në parlament të Ballës me ministrin Genc Pollo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›