E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanosi qytetarin më armën e shërbimit, gardiani në gjyq

15/03/2010 Fatmir Aliaj, polici i burgut të Fushë-Krujës merret i pandehur nga Prokuroria

TIRANE- Një gardian i burgut të Fushë-Krujës është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës, pasi nga hetimet ka rezultuar se efektivi ka kanosur me armën e shërbimit një qytetar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. I pandehuri quhet Fatmir Aliaj, banues në Tiranë me detyrë punonjës pranë burgut të Fushë-Krujës. Aktualisht çështja në ngarkim të tij me nr. 1115 është regjistruar në gjykatën e Tiranës dhe pritet që në ditët në vazhdim të fillojë shqyrtimi gjyqësor, ku shorti ka përzgjedhur si relator gjyqtarin Ilir Çeliku. Ngjarja për të cilën akuzohen gardiani ka ndodhur më 12 janar të këtij viti afër stacionit të trenit. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Tiranës, ka qenë një sherr banal mes të pandehurit Aliaj dhe kallëzuesit, të cilët ishin duke konsumuar pije alkoolike në një lokal. Fillimisht palët janë konfliktuar me fjalë, por më pas sherri mes tyre degjeneroi në përplasje fizike. Më tej zënka ka vazhduar edhe në rrugë, ku gardiani i burgut të Fushë-Krujës, Fatmir Aliaj, nën efektin e alkoolit ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar 3 herë në ajër. Sipas kallëzuesit, i pandehuri Aliaj e ka kërcënuar me pistoletë duke i thënë se do e vriste. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga Prokuroria e Tiranës, nga të shtënat e të pandehurit Aliaj, zona është përfshirë nga paniku. Mbi këto prova hetuesit, veç akuzës së kanosjes, kanë ngritur në ngarkim të Fatmir Aliajt edhe veprën penale të prishjes së qetësisë publike. Mësohet se krismat janë dëgjuar nga efektivët e Patrullës së Përgjithshme, të cilët kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Menjëherë ata kanë kryer arrestimin e të pandehurit si dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e shërbimit dhe tre gëzhoja. Vetë i pandehuri ka pranuar autorësinë e krimit dhe pritet që gjatë çeljes së seancës gjyqësore, ai dhe avokati i tij të kërkojnë gjykimin e shkurtuar. Në rast se kjo kërkesë do të pranohej nga trupi gjykues, kjo do e favorizonte të pandehurin, pasi ky i fundin përfiton uljen me 1/3 e dënimit që parashikon ligji. Aktualisht polici i trupës së shoqërimit në sigurinë e lartë në burgun e Fushë-Krujës është pezulluar nga detyra dhe në qoftë se gjykata do e gjente fajtor, atëherë shkarkimi i tij do të ishte i pashmangshëm. Ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje Prokuroria ka administruar në dosje edhe rreth 10 dëshmi, të personave që kanë qenë të pranishëm në momentin e ndodhjes së krimit.

Pezullimi nga detyra

Për ngjarjen e rëndë që ndodhi në janar të këtij viti pranë stacionit të trenit, u vu në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Kjo e fundit mori menjëherë masat dhe urdhëroi pezullimin e gardianit Fatmir Aliaj. Ky nuk është rasti i vetëm që një punonjës policie, kanos me armën e shërbimit qytetarët. Raste të shumë janë regjistruar në gjithë vendin, ku efektivë të policisë kanë përdorur uniformën apo armën e shërbimit për t’i bërë presion individëve të ndryshëm. Këto raste kanë qenë më të zakonshme në vitet e kaluara, ndërkohë që aktualisht ato janë minimizuar ndjeshëm.

Provat e akuzës

Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga Prokuroria e Tiranës, nga të shtënat e të pandehurit Aliaj, zona është përfshirë nga paniku. Mbi këto prova hetuesit, veç akuzës së kanosjes, kanë ngritur në ngarkim të Fatmir Aliajt edhe veprën penale të prishjes së qetësisë publike. Mësohet se krismat janë dëgjuar nga efektivët e Patrullës së Përgjithshme, të cilët kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Menjëherë ata kanë kryer arrestimin e të pandehurit si dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e shërbimit dhe tre gëzhoja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›