Kanosin policët, pranga pas konfliktit në lokal
Etleva Delia
Sherri mes disa të rinjve në një lokal nate në Tiranë ka degjeneruar në përplasje me policinë. Ndërhyrja e policisë gjatë një konflikti mes disa të rinjve në gjendje të dehur, në një lokal me muzikë live në kryeqytet, ka përfshirë në debat edhe vetë efektivat e rendit. Dy të rinj nga Kukësi u arrestuan nga policia e Komisariatit nr.1 të Tiranës, pasi gjatë përballjes me punonjësit e policisë i kanë kërcënuar dhe i kanë fyer ata për shkak të detyrës. Ky reagim i Nderim Durmishit dhe Shpëtim Myftarit ndaj uniformave blu, ka ardhur në momentin që policia ka qenë duke kryer detyrën, e njoftuar për konfliktin që dy të rinjtë kishin me disa persona të tjerë. Burime nga policia thanë se disa minuta pas mesnatës së djeshme, kanë marrë një telefonatë nga një person i pranishëm në lokalin "Guva e Qetë" në rrugën "Abdi Toptani". Ai ka njoftuar policinë se disa të rinj në gjendje të dehur, kishin nisur një konflikt me njëri-tjetrin dhe nga çasti në çast sherri po përkeqësohej. Nga fjalët ofenduese kanë kaluar në grushtet, shqelmat dhe kërcënimet me jetën. Në këtë moment patrulla më e afërt e Komisariatit nr.1, e cila ndodhej vetëm disa metra larg vendit ku po ndodhte konflikti, ka shkuar menjëherë duke u përpjekur që të shuajë konfliktin mes të rinjve. "Në këtë moment oficerët e policisë janë përballur me rezistencën e dy të rinjve Nderim Durmishi, 21 vjeç dhe Shpëtim Myftari, 31 vjeç", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, të rinjtë kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, të cilët po përpiqeshin që të ndërprisnin konfliktin që kishte nisur mes protagonistëve të ngjarjes, për të shmangur ndonjë plagosje të mundshme mes tyre. Veç kësaj ata nuk kanë pranuar që policia të ushtronte kontrollin fizik për sende të paligjshme, edhe pse oficerët këmbëngulën të verifikonin nëse të arrestuarit kishin armë me vete. Pasi janë përballur me fyerjet e dy të rinjve dhe kanosjet e tyre, oficerët e Komisariatit nr.1 kanë arrestuar Durmishin dhe Myftarin me akuzat e "fyerjes për shkak të detyrës", "kanosjes për shkak të detyrës" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje". Sot dy të rinjtë pritet të njihen me masën e sigurisë në gjykatë dhe sipas burimeve mësohet se organi i akuzës do të kërkojë për ta masën "detyrim paraqitje". Burime nga policia sqaruan se personat e tjerë të përfshirë në konflikt, pasi janë marrë në pyetje dhe kanë dhënë deklarimet e tyre për ngjarjen, janë lënë të lirë.