Shpërthim i fuqishëm tritoli në dyqanin e shumicës në Shkodër
Një shpërthim i madh me lëndë eksplozive ka tronditur orët e para të mëngjesit të djeshëm komunën e Bëlticës në rrethin e Shkodrës. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se shpërthimi dyshohet të jetë realizuar me tritol dhe objekti i saj ka qenë një magazinë në pronësi të Mark Gjergjit. I pyetur nga policia për ngjarjen, ai është shprehur se nuk ka ndonjë konflikt, i cili të mund të jetë bërë shkak për realizimin e këtij akti. Ndërkaq, policia shton ndër të tjera se për fat, nuk ka asnjë viktimë dhe as të lënduar nga kjo ngjarje, por gjithsesi, ajo është shoqëruar me dëme të shumta materiale. Ajo ka nisur hetimin për të gjetur autorët e vënies së eksplozivit, të cilët deri tani kanë mbetur të paidentifikuar.
Vodhi turistin kosovar, arrestohen në tentativë për tu arratisur
Një 28-vjeçar i kërkuar për vjedhje është kapur dje teksa po tentonte të kalonte kufirin me destinacion Greqinë. Irland Haxhiaj 28-vjeç lindur dhe banues në fshatin Babinë, të Tropojës është ndaluar dje nga shërbimet e Policisë Kufitare Korçë, në Vend Kalimin Kufitar Kapshticë, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës. Burime nga policia thanë se Haxhiaj akuzohet se më datën 7 gusht të këtij viti rreth orës 18.00, në vendin e quajtur Plazh-Velipojë, Komuna Velipojë i ka vjedhur kosovarit 33-vjeçar E. Haxhija, portofolin me 370 euro, 6.500 lekë shqiptare si dhe dy aparate telefoni Tip “Nokia”. Policia mundi të identifikonte Haxhiaj si autorin e vjedhjes fill pas ngjarjes. Por zhdukja e tij detyroi policinë ta shpallte në kërkim duke e prangosur ditën e sotme.
Gjykata e Kavajës liron Sali Lushën, nuk kishte prova për ndotjen akustike
Pas 20 ditë qëndrimi në qeli, lirohet për mungesë provash, Sali Lusha, ish-truproja i Sali Berishës. Gjykata e Kavajës vendosi dje lirimin për mungese provash të Sali Lushës, i cili u arrestua 20 ditë më parë për kundërshtim të forcave të policisë dhe prishje të qetësisë publike, në kompleksin e tij në Golem. Gjykata nuk mund të siguronte asnjë provë për akuzat që ishin ngritur kundër Lushës duke vendosur lirimin e tij. Bashkë me ish-truprojën e Sali Berishës u liruan edhe tre të rinj të tjerë që u arrestuan 20 ditë më parë me Lushën. Kështu Avdyl Gjomakajn, Shkëlzen Susën dhe Renaldo Gecajn u liruan dje. Sali Lusha ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha u ndalua disa ditë më parë për shkak të moszbatimit të urdhrit më të fundit të policisë për ndotjen akustike në kompleksin e tij në Golem. Më pas ai kundërshtoi dhe punonjësit e policisë të cilët u paraqitën parën kompleksit për të urdhëruar mbylljen e tij.
“Fshesa” në bregdet, sekuestrohen 22 motorë uji, gjobiten pronarët
Nga strukturat e Departamentit të Kufirit e Migracionit në Policinë e Shtetit përgjatë periudhës së sezonit të verës, gjatë gjithë kufirit blu, janë marrë masa për kontrollin e motorëve të ujit lidhur me respektimin e lundrimit në zonën e plazhit dhe pajisjen me dokumentacionin e duhur. Sipas të dhënave policore, nga kontrollet e kryera nga Drejtoritë Rajonale për Kufirin e Migracionin për shkeljet e konstatuara janë bllokuar 22 motorë uji, janë ndëshkuar me masë administrative gjobë poseduesit e 21 mjeteve, ndërkohë 1 mjeti i është hequr leja e dhënë për shkelje të rregullave të lundrimit në zonën e plazhistëve. Vetëm nga policia kufitare e Vlorës janë bllokuar 8 mjete lundruese (Jet ski) për shkak të mangësive në pajisjen me dokumentacion, janë ndëshkuar me masa administrative gjobë në 2 raste poseduesit e mjeteve me një vlerë prej rreth 20.000 lekë, si dhe në një rast i është hequr leja e lundrimit nga Policia Kufitare Sarandë për shkak të shkeljes së rregullave të lundrimit në zonën e plazhistëve. Ndërsa nga kjo polici në Durrës për shkeljet e konstatuara janë bllokuar 12 mjete lundruese (motorë uji), si dhe janë vendosur 13 masa administrative gjobë me një vlerë prej rreth 1.750.000 lekë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Policia Kufitare e Shëngjinit, ku gjatë kontrolleve ka bllokuar 2 mjete uji, si dhe janë vendosur 6 masa administrative gjobë me një vlerë prej rreth 60.000 lekë.
Fyejnë punonjësit e policisë, në pranga dy të rinjtë
Forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Nr.1 në Tiranë, arrestuan në flagrancë tre persona të cilat reaguan ndaj tyre në mënyrë të ashpër. Sipas të dhënave policore, mësohet se personat e ndaluar janë Nderim Durmishi, 21 vjeç dhe Shpëtim Myftari, 31 vjeç, që të dy lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi mbrëmjen e së mërkurës gjatë shoqërimit të tyre për në komisariat, lidhur me një konflikt tek lokal “Guva e Qetë” kanë kundërshtuar me dhunë, fyer, kanosur tre punonjës policie. U kryen veprimet proceduriale, materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë në bashkëpunim” dhe “Kanosjes për shkak të detyrës”, “Fyerjes për shkak të detyrës” dhe të “Dëmtimeve të tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 236/2, 238 , 239, dhe 90 të Kodit Penal.
Shkodër, shpallen dy vetë në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë
Në urgjencën e spitalit të Shkodrës, ka shkuar i plagosur Dede C., vjeç 48, lindur dhe banues në këtë qytet, i cili pas marrjes së mjekimit ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është larguar për në banesë. Sipas burimeve policore, në baze të kallëzimit të marrë nga vetë i dëmtuari, rezulton se në vendin e quajtur “Dugajt e Reja” të qytetit Shkodër ai është qëlluar me thikë, nga ana e Andjol Rajtas, vjeç 27 dhe Robert Sterkaj, vjeç 22, që të dy lindur dhe banues ne Shkodër. Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura proceduriale dhe hetimore si dhe u bë shpallja në kërkim e këtyre dy personave. Materialet në ngarkim të tyre iu dërguan prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”.
Përplas për vdekje me makinë të moshuarin, pranga shoferit
Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë dje në Tiranë 48-vjeçarin Preng Biba, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, pasi ka shkaktuar një aksident rrugor fatal me pasojë vdekjen. Sipas burimeve policore, arrestimi i tij u bë pasi dje gjatë natës duke qarkulluar në autostradën Tiranë - Durrës, me automjetin fugon tip Fiat, me targa PE 1367 A, ka aksidentuar me vdekje këmbësorin Haxhi Mehmet Rrumi, 89 vjeç, i cili po kapërcente rrugën nga trafikndarësi për në krahun tjetër. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë grupi hetimor duke kryer veprimet e para hetimore dhe proceduariale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.
21 Gusht 2009