E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon Këshilli Bashkiak,mbesin pa lekë 746 familje

 

BURREL/ HASAN PASHA

Plot 746 familjeve në nevojë, banorë të Bashkisë së Burrelit, do t'u duhet të marrin bukë me listë për një muaj, pasi dje paradite ka dështuar mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak. Mungesa e këshilltarëve të maxhorancës nuk ka krijuar kuorumin e nevojshëm që kryetari i këtij këshilli, Besnik Murati të vijonte normalisht mbledhjen. Çështja më e rëndësishme për interesat e qytetarëve ishte miratimi i listave të përfituesve të ndihmës ekonomike për muajin korrik 2009. Por, mosardhja e këshilltarëve ka bërë që mbledhja e ardhshme të jetë ajo e 20 shtatorit. Pushimet e verës apo arsye të pajustifikuara kanë sjellë dështimin e mbledhje së Këshillit Bashkiak, e mezipritur nga familjet me probleme ekonomike. Në relacionin e përgatitur nga Zyra e Ndihmës Ekonomike thuhet se kanë paraqitur dokumentet për ndihmë 788 familje, ndërkohë që duhet ta përfitojnë atë 746 familje. Janë rikthyer në skemë 8 familje, kanë hyrë për herë të parë 7 familje dhe janë larguar nga skema vetëm një muaj pas zgjedhjeve 42 familje. Specialistët e Zyrës së Ndihmës Ekonomike sqarojnë se largimi i këtyre familjeve lidhet me disa arsye, si: banimin e këtyre familjeve në fshat, nuk kanë plotësuar dokumentet për muajin e radhës, janë vetëpunësuar, janë larguar jashtë rrethit, punojnë me mjetet e tyre në transport udhëtarësh, janë larguar në emigracion, etj. Ndërkohë për muajin korrik, jo vetëm këto 42 familje nuk do ta përfitojnë ndihmën ekonomike, por edhe 746 familjet e tjera do të duhet të presin mbledhjen e muajit shtator për ta përfituar atë. Ndërkohë që dje përfitues të ndihmës ekonomike, sidomos familjet rome janë tubuar në mjediset e bashkisë dhe kanë kërkuar ndihmën ekonomike. "Nuk kemi asnjë të ardhur për mbijetesë. As bukë në shtëpi nuk kemi", thanë kryefamiljarë që presin si të ardhur kryesore ndihmën ekonomike. Nga 17 këshilltarë që Këshilli Bashkiak i Burrelit ishin dje të pranishëm vetëm 8 prej tyre. Por, numri i pakët nuk ishte i përshtatshëm për të vendosur me shumicë votash mbicaktimin e familjeve. Në disa bashki të vendit, që nga fillimi i verës, ka pasur probleme me mbledhjet e Këshillit Bashkiak, duke mbajtur peng zgjidhjen e çështjes së ndihmës ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›