Interpoli sjell të dënuarin për shitje narkotikësh
TIRANE- Interpoli ka ekstraduar dje nga Athina, 37-vjeçarin Nuri Fusha, nga fshati Barikat i Beratit, i cili ishte shpallur në kërkim një vit më parë. Gjykata e Beratit në vendimin e datës 5 dhjetor të vitit 2008 ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 37-vjeçarin Fusha, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Sipas vendimit të gjykatës, mësohet se më 30 maj të një viti më parë, rreth orës 22:30, Nuri Fusha, në afërsi të Urës së Gorricës në Berat është ndaluar nga policia vendore për një kontroll fizik, si dhe të mjetit me të cilin po udhëtonte. Nga kontrolli i ushtruar nga forcat e policisë Fushës i është gjetur një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, por në kohën kur policia vazhdonte të kontrollonte makinën e tij, 37-vjeçari arriti t'i shmangej policisë, duke u larguar nga vendi ku ndodhej postblloku. Që prej atij momenti policia e shpalli në kërkim dhe ai u arrestua në prill të këtij viti nga policia greke dhe u ekstradua dje nga Interpoli. Fusha është shoqëruar në dhomat e paraburgimit të Beratit dhe pritet që gjykata t'i komunikojë masën e sigurisë së dhënë në mungesë ndaj tij.