Kantrimen: Porosia e Uashingtonit, partitë politike të pranojnë rezultatin e 8 majit- të papranueshëm skenaret antidemokratike

Diplomati amerikan flet për zgjedhjet e 8 majit, duke adresuar një apel publik ndaj të gjitha forcave politike, por edhe shoqërisë shqiptare që, në zgjedhjet për pushtetin vendor të tregojnë pjekuri Evropiane dhe stabilitet demokratik. Kantrimen thotë se përsëritja e skenareve si ato të pas zgjedhjeve parlamentare është një cenim i rëndë i rendit demokratik si dhe një goditje ndaj aspiratave të integrimit
Zv/ndihmës amerikan i shtetit Tomas Kantrimen, u ka bërë thirrje liderëve të Shqipërisë të angazhohen për dialog dhe kompromis politik. “Unë i kam ftuar ata, në koordinim të plotë me BE-në, thirrje këto të bëra edhe nga përfaqësuesit e OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së në Tiranë, të mbajnë zgjedhje të ndershme lokale dhe paqësore dhe i kemi kërkuar popullit të Shqipërisë ta kërkojë një gjë të këtillë nga përfaqësuesit e tyre”- ka deklaruar Kantrimen. Sipas tij zgjedhjet në Shqipëri, sikur edhe në çdo vend tjetër, nuk u takojnë partive politike, ato u takojnë njerëzve. Presim nga partitë të zhvillojnë një fushatë jo të dhunshme, të mbajnë zgjedhje të qeta më 8 maj dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mbi zgjedhjet nëpërmjet procesit të njohur kushtetues. Nëse e arrijmë këtë, atëherë është periudha e paszgjedhjeve lokale në maj, në të cilën mund të zhvillohet një dialog më i qytetëruar politik, jo vetëm midis dy partive politike, por një dialog që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare. Ka mbyllur deklaratën e tij për një intervistë në Radio Europa e Lirë, zv/ ndihmësi amerikan i shtetit Tomas Kantrimen.
Radio Evropa e Lirë- Zoti Kantrimen, përmendët zhurmën dhe kaosin…kohët e fundit keni vizituar disa herë Shqipërinë dhe u keni bërë thirrje liderëve të atjeshëm të angazhohen për dialog dhe kompromis politik. Jeni të kënaqur me përgjigjet e tyre?
Tomas Kantrimen- Unë i kam ftuar ata, në koordinim të plotë me BE-në, thirrje këto të bëra edhe nga përfaqësuesit e OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së në Tiranë, të mbajnë zgjedhje të ndershme lokale. Kjo është një kërkesë e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Kemi insistuar që të gjitha palët ta respektojnë Kushtetutën, të mbajnë zgjedhje të ndershme dhe paqësore dhe i kemi bërë thirrje popullit të Shqipërisë ta kërkojë një gjë të këtillë nga përfaqësuesit e tyre. Zgjedhjet në Shqipëri, sikur edhe në çdo vend tjetër, nuk u takojnë një apo dy partive politike, ato u takojnë njerëzve.
Presim nga të dyja palët të zhvillojnë fushatë jo të dhunshme, të mbajnë zgjedhje të qeta më 8 maj dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mbi zgjedhjet nëpërmjet procesit të njohur kushtetues. Nëse e arrijmë këtë, atëherë është periudha e paszgjedhjeve lokale në maj, në të cilën mund të zhvillohet një dialog më i qytetëruar politik, jo vetëm midis dy partive kryesore, por një dialog që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare.
Do të thosha se jam në të shumtën i kënaqur, por jo në tërësi me përgjigjet e partive kryesore në këto thirrje që u ka bërë komuniteti ndërkombëtar.