Lulzim Basha: Ja plani për uljen e çmimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës

Ndonëse paguajnë taksa të larta, qytetarët dhe bizneset e Tiranës nuk marrin shërbimin e merituar. Për këtë arsye, ata jane të detyruar të paguajnë sërish. Këtë pagesë të dyfishtë, bizneset e nxjerrin tek qytetarët konsumatorë përmes rritjes së çmimeve. Në këtë rast, të penalizuarit janë banorët, të cilët detyrohen të nxjerrin 3 herë para nga xhepi, si pasojë e abuzimit nga ana e Bashkisë. Pikërisht, tek ky fakt, Lulzim Basha e bazon politikën e tij të uljes se çmimeve, duke ulur taksat dhe ofruar shërbimet që i takojnë Bashkisë. “Le ta fillojmë aty ku dhimbja është më e madhe, ta nisim duke i rikthyer qytetarëve të Tiranës çmime normale dhe një treg normal. Është e vërtetë, nuk janë 82 taksa dhe tarifa, janë plot 85 taksa dhe tarifa vendore. Këto taksa mblidhen, por shërbime nuk ofrohen, dhe për ato shërbime që nuk ofrohen, ju si qytetarë dhe akoma më shumë punëdhënësit e këtij qyteti, nxjerrin përsëri lekë nga xhepi për të kryer shërbime të cilat nuk kryhen me taksat tona. Ndaj unë, ju them sot se ulja e taksave, heqja e mbi 60 taksave dhe tarifave vendore, nuk është slogani im politik, por është zotimi im – dhe unë do ta bëj realitet brenda javës time të parë si Kryebashkiaku juaj i ardhshëm. Përveç taksave të ulëta, unë do të ngre brenda muajit maj, Agjensinë Bashkiake për Mbrotjen e Konsumatorit. Kjo agjensi do ketë një dhe vetëm një detyrë: të identifikojë, hulumtojë, investigojë dhe të godasë me forcën e ligjit këdo që spekulon me çmimet e larta në tregjet e qytetit tonë. Punësimi i qytetarëve të Tiranës jo vetëm nuk do jetë diçka e huaj, e pakuptueshme, larg kompetencave të Bashkisë, por do të jetë detyra numër një e Kryebashkiakut tuaj të ardhshëm. Taksat e ulëta do të bëjnë të mundur hapjen e 4 mijë vendeve të reja të punës në Tiranë, brenda 6 mujorit e parë. Të bashkuar siç jemi sot në një qëllim të vetëm, t’i përvishemi punës për Tiranën dhe qytetarët e Tiranës”, u shpreh Lulzim Basha. Duke prezantuar kandidatin për kryetar të Njësisë Bashkiake Nr.3, Ilir Kokona, Basha bëri të ditur se përmes krijimit të garancisë për kreditimin e biznesit dhe nisjen e ndërtimit të Unazës së Madhe, do të hapen edhe 11,800 vende të reja pune. Basha theksoi se një fond i veçantë do të ngrihet për të ndihmuar çiftet e reja të marrin kredi me kushte lehtësuese për strehimin, sikundër brenda katër vitesh do të ndërtohen 1000 apartamente për të pastrehët. Basha premtoi përmirësim rrenjësor të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve. Kandidati për kryebashkiak tha se puna për Tiranën europiane do të nisë me ndërtimin e lagjeve të saj.
Kandidati për Njësinë nr. 3, Ilir Kokona: Vota për “Aleancën për Qytetarin”, zgjidhja e problemeve tuaja
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Ilir Kokona për Njësinë Bashkiake nr. 3, prezantoi platformën e tij, duke ftuar të gjithë qytetarët e kësaj njësie se për zgjidhja më e mirë për zgjidhjen e problemeve të tyre është vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”. Kokona theksoi se, gjatë mandatit të ardhshëm do t’u jepet zgjidhja një sërë problemesh siç është ndotja e mjedisit, hapësirat e gjelbra apo këndet sportive për të rinjtë. Ndërsa duke votuar për Lulzim Bashën, Kokona theksoi se, kryebashkiaku i ri i Tiranës do t’i kthejë zonat informale në zona urbane me infrastrukturë bashkëkohore. “Ftoj banorët e zonës ‘Sadik Petrela’ të votoni Lulzim Bashën, i cili do ta kthejë zonën informale në një zonë urbane me infrastrukturë bashkëkohore. Banesat tuaja do të emërtohen me ndërtime pa leje, por do të keni dokument pronësie dhe kështu shtëpitë tuaja nuk do të jenë më të paligjshme. Me votën tuaj, do t’i jepni fund problemit të ndotjes së mjedisit nga kanali i hapur që kalon mes përmes shtëpive tuaja nuk do të jenë më të paligjshme”, theksoi Kokona gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për Njësinë Bashkiake nr. 3, theksoi se një rëndësi e veçantë me fitoren e 8 majit, do t’i jepet krijimit të një biblioteke për të rinjtë, e cila i ka munguar prej kohësh një e tillë. Ndërsa një vëmendje tejet e veçantë, Kokona theksoi se, do t’i jepet dhe angazhimit për ndërtimin e tregjeve bashkëkohore në zonën tonë. “Tregjet ekzistuese kanë funksionuar pa kushte dhe jashtë standardeve. Dua të siguroj edhe të gjitha bizneset që vota juaj për ne do të jetë një votë për përgjysmimin e taksave dhe krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit tuaj”, deklaroi Ilir Kokona.
Kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Njësinë Bashkiake nr. 5 në Tiranë, Erisa Xhixho njeh të rinjtë me programin e saj elektoral
Kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetare e Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë, Erisa Xhixho, ka zhvilluar dje takime me të rinj dhe të reja, por edhe banorë në zonën e ish-Bllokut. Qëllimi i këtyre takimeve ishte njohja e këtyre të rinjve me programin elektoral të Xhixhos, që tashmë ka marrë formë të plotë. Ky program përmban të gjitha projektet dhe planet për investime apo edhe nxitjen e hapjes së vendeve të reja pune, që Xhixho do të vërë në zbatim, pasi të ketë fituar mandatin 4-vjeçar për të qeverisur njësinë më të madhe bashkiake në Tiranë pas 8 majit. Në bashkëbisedimet me të rinjtë, Erisa Xhixho u ka dhënë atyre programin e saj elektoral dhe u ka kërkuar atyre që të lexojnë atë, për të parë se çfarë projektesh ka ajo gati pas zgjedhjeve të 8 majit. Gjithashtu, Xhixho u ka kërkuar që të lexojnë edhe programet elektorale të rivalëve politikë, nëse ato kanë një të tillë, por edhe atë të kandidatit të koalicionit Lulzim Basha, në mënyrë që të krijojnë një ide sa më të mirë për mundësitë që u jep secili para se të shkojnë e të votojnë më 8 maj. Një apel i rëndësishëm që u dha nga Xhixho ishte që të gjithë të shprehin të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit në pushtetin vendor nëpërmjet votës, në mënyrë që në 4 vitet e ardhshme ata të kenë edhe të mund t’i kërkojnë llogari drejtuesve. “Unë iu bëj thirrje që më 8 maj, të shkoni e të votoni dhe të shprehni një të drejtë tuajën. Do t’ju kërkoja që të lexonit mirë programin elektoral, jo vetëm programin tim, por edhe atë të kandidates së koalicionit tjetër, nëse ajo ka një të tillë. Po kështu do t’ju kërkoja që të lexonit edhe programin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, dhe të jeni të qartë për atë se çfarë ne ofrojmë për ju. Pasi të jeni njohur me programet atëherë merrni një vendim se për cilin do të votoni. Është shumë e rëndësishme që ju të votoni më 8 maj”, u tha Erisa Xhixho disa të rinjve që ishin ulur në një nga baret e zonës së ish-Bllokut. Gjithashtu, kandidatja e “Aleancës për Qytetarin” për Njësinë 5 u njoh edhe me shqetësimet që disa nga banorët e kësaj zone i kanë shprehur asaj.
...