E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionere rezerve. KQZ Mesues per te shpetuar 8 Majin

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të hartojë një projekt-akt për të penguar largimin e komisionërve nga qendrat e votimit më 8 maj. Mësuesit janë kontigjenti rezervë që do të përdorë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rast se më 8 maj komisionerët do të largohen nga qendrat e votimit.

“Ku do të gjenden njerëzit të cilët do të zënë vendet e atyre? Jo të gjitha vendet, por aq sa numri I domosdoshëm të sigurohet dhe Komisionit të mund të funksionojë. Në çdo skaj të vendit ka shkolla, zotërinj anëtar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Në çdo shkollë ka mësues. Nuk e dimë angazhimin e tyre. A janë të angazhuar me PD, me PS apo me Ballin apo me PBDNJ, etj, etj. Mendoj se ky është kontigjenti i vetëm, i domosdoshëm, me të gjitha mundësitë. Mbi bazën e një planifikimi apo një vendimi të hollësishëm që mund të merrni ju unë kam listën e të gjitha shkollave të Shqipërisë me numrin e mësuesve për çdo shkollë, çka përbën një kontigjent të shkëlqyer” tha anëtari i PD në komision, Njazi Kosovrasti.

Kryetari Arben Ristani e ka konsideruar fenomenin e largimit të komisionerëve nga detyra më 8 maj si krim duke paralajmëruar se institucioni që ai drejton do të bashkëpunojë me policinë e shtetit për të goditur ashpër këtë krim në kohën e duhur.

“Ky krim duhet të marrë patjetër një goditje të shpejtë dhe të fortë. Për këtë ne mund të përpunojmë disa rregulla për komisionin e qendrës së votimit I cili menjëherë në rast se konstatojmë këtë lloj krimi të bëjmë kallzimin përkatës në polici dhe në organet e prokurorisë” tha Ristani.

Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të përgatis projekt-aktin e propozuar nga kryetari Ristani duke pasur në focus edhe krijimin e mbi 4800 vulave shtesë.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›