E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanuni në Zvicër?

Nga Express më 22 gusht 2011 në ora 07:27

Mediat zvicerane vazhdojnë ta trajtojnë edhe më tej rastin e rëndë kur një kosovar vrau gruan e tij si dhe një punëtore sociale zvicerane.

Gazeta e së dielës, “Sonntagzeitung” në një artikull të saj, tregon se familja e Sadete Badallajt nga Zhuri i Prizrenit kanë deklaruar se do të marrin hak për të afërmen e tyre, të vrarë nga ish-bashkëshorti. Sipas tyre, e ndjera është vrarë pa faj dhe për këtë ata do t’i kërkojnë gjakmarrje, Shani Saramatit, i cili tash ndodhet i paraburgosur në një burg të Zvicrës.

Sipas gazetës, Shani Saramati është duke qëndruar në burg, ndërsa psikologët dhe psikiatri kanë deklaruar se në rastin e tij bëhet fjalë për një njeri të sëmurë mendërisht. Pavarësisht kësaj, anëtarë të familjes Badalli nga Zhuri i Prizrenit janë shprehur se edhe nëse gjykimi i kësaj vrasjeje do të përfundojë në gjykatë, ata do ta përdorin edhe kutin e tyre të drejtësisë, duke marrë hak.

Sipas tyre, kjo vrasje është e paligjshme, bazuar edhe në traditën e Kanunit, ngase bashkëshorti është dashur së pari ta informojë familjen e së ndjerës, për problemet që ka mundur t’i ketë me të.

“Nuk ishin probleme për të cilat duhet të vritej ajo, ngase nuk është zënë në “hajni, kurvëri apo poshtërsi”, citon gazeta fjalët e familjes së Sadete Badallajt. Ata më tej janë shprehur se edhe sikur të ishte zënë e afërmja e tyre në ato gjëra, prapëseprapë nuk do të thotë se Shani Saramati kishte të drejtë që pa informuar familjen e saj mbi problemet, të kryente akt aq mizor. Familja e së ndjerës pretendon se Shani Saramati gjithçka e ka biseduar dhe planifikuar me familjen e tij, ndërsa me familjen e ish-gruas, nuk ka biseduar për këtë çështje.

Gazeta “Sonntagszeitung” ka intervistuar familjarët e Sadetes së ndjerë dhe ka marrë informacionin se tashmë e ndjera ishte kërcënuar edhe nga vëllai i Shaniut, përmes telefonatave dhe SMS-ve.Të pyetur nëse do të marrin gjakun e Sadetes, një nga familjarët ka shpjeguar se tani për tani, familja e tyre ende nuk ka vendosur asgjë ngase të tërë kohën janë duke ia përkushtuar personave të cilët shkojnë për ngushëllime. Por sipas tyre, kjo gjë do të bisedohet së shpejti dhe nuk do të lihet anash. Trupi i pajetë i Sadete Badallajt-Saramati, është varrosur në varret e fshatit Zhur në afërsi të Prizrenit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›