Maskohen makinat zyrtare
Zyrtarët e lartë qeveritarë shfrytëzojnë veturat zyrtare me targa të rëndomta, të cilat nuk dallohen nga veturat e tjera luksoze të biznesmenëve kosovarë.
Veturat e zyrtarëve të lartë qeveritarë është vështirë të dallohen nga veturat luksoze të biznesmenëve kosovarë, pasi që një pjesë e konsiderueshme e tyre qarkullojnë me targa jozyrtare.
Vetura e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetura e Ministrit për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj por edhe shumë vetura të zyrtarëve të lartë qeveritar, edhe me tej vazhdojnë të ecin rrugëve të Kosovës pa u vërejtur fare.
“Unë lidhje s’kam me këtë punë, për këtë çështje kontaktojeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse ata janë kompetentë”, ka thënë zëvendës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi për gazetën Zëri.
Por, sipas burimeve të gazetës Zëri, vetura zyrtare e ministrit Beqaj i ka dy regjistrime, atë zyrtar si dhe një regjistrim tjetër, i cili është i zakonshëm si i të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Kur ministri udhëton jashtë vendit përdor regjistrimin zyrtar, ndërkaq brenda Kosovës ai lëviz me regjistrim tjetër për të mos u vërejtur”, ka thënë burimi i gazetës.
Por, sipas Avni Zogianit, nga Lëvizja “Çohu”, fshehja prapa tabelave të zakonshme ka të bëjë edhe me vendndodhjet shumë shpesh të papritura të zyrtarëve.
Sipas tij, një gjë e tillë i ka ndodhur kryeministrit të Kosovës në Maqedoni kur është regjistruar me kamera nga televizioni maqedonas “A1”.