E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos e rrëmujë brenda dhe jashtë takimit të Kopenhagenit

Kina, India dhe aleatët e tyre në Botën e Tretë kanë qenë në një revoltë të hapur dje në Takimin e OKB-së për klimën në Kopenhagen, ndërsa policia jashtë vendit ku po zhvillohet takimi ka arrestuar rreth 200 protestues ambientalistë. Kryeministri i Danimarkës, Lars Rasmussen, personalisht mori në dorë drejtimin e negociatave për marrëveshjen në lidhje me klimën globale, ndërsa konferenca ka hyrë në tri ditët e saj përfundimtare. Por detyra e tij në krijimin e një klime marrëveshjeje dhe bashkëpunimi është e vështirë. Ndërkaq, vendet në zhvillim e kanë akuzuar Kryeministrin danez për mënyra jo të mira bashkëpunimi në arritjen e marrëveshjes. Ata janë ankuar se sipas tyre ai po përpiqet që të negociojë një version krejtësisht të ri të marrëveshjes që do të zëvendësojë atë të Protokollit të Kiotos, sipas të cilit vetëm vendet e zhvilluara duhet që të reduktojnë emetimin e gazeve të dëmshme.
Ndërkohë jashtë sallës ku mbahet konferenca janë mbledhur mijëra ambientalistë për të kundërshtuar punimet e saj dhe mbi të gjitha nga mungesa e progresit në këtë konferencë, si dhe nga pamundësia e marrjes pjesë në të. Shumë grupe ambientalistësh që ishin ftuar në konferencë nuk janë lejuar të hyjnë, duke u nxjerrë vazhdimisht pengesa, që zyrtarisht janë motivuar si probleme procedurale. Para përfundimit të takimit, delegatët kanë ende një mori çështjesh për të parashtruar dhe diskutuar. Ndër to mund të përmendim sasinë e reduktimit të emetimeve të gazeve të dëmshëm nga vendet e zhvilluara, mënyrën e mbledhjes së financimeve që do t‘u jepet vendeve në zhvillim për të kompensuar humbjet që do të pësojnë dhe çka është më thelbësorja, nëse do të arrihet një marrëveshje apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›