E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, letër Kim Jong Il të Koresë së Veriut

Presidenti amerikan, Obama, i ka shkruar një letër personale liderit komunist të Koresë së Veriut, Kim Jong Il. Kjo është pjesë e përpjekjes së tij për të ndjellë sërish në tryezën e bisedimeve vendin që nuk ka hequr dorë nga ambiciet bërthamore, edhe pse jo rrallë është zotuar se do ta bënte një gjë të tillë në këmbim të favoreve të ndryshme. Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, letra është dërguar javën e kaluar përmes të dërguarit të posaçëm amerikan për Korenë e Veriut, që vizitoi vendin komunist një javë më parë. Synimi i kësaj vizite, si dhe i letrës, ishte rifillimi i bisedimeve të ndërprera mes Pjonjangut dhe komunitetit ndërkombëtar në lidhje me çështjen e ambicies bërthamore. Zyrtari që ka folur në kushtet e anonimitetit, për shkak të sensivitetit që ka kjo çështje, tha ndër të tjera se nuk ka informacione në lidhje me përmbajtjen e dokumentit, por dihet që mesazhi i saj me atë të të dërguarit të posaçëm është i njëjtë. "Koreanoveriorët kanë një shans për të zgjedhur: vazhdimin e izolimit të vendit dhe futjen e tij në katastrofë ekonomike, ose rikthimin në tryezën gjashtëpalëshe të bisedimeve për të vendosur në lidhje me ardhmërinë e ambicies bërthamore dhe mënyrën e bashkëpunimit me vendet që marrin pjesë në bisedime", ka thënë zyrtari. Nuk dihet nëse Kim Jong Il i është përgjigjur ose jo letrës së Obamës. Vetë ekzistenca e një letre të tillë është mbajtur e fshehtë deri dje, kur burimi i mësipërm e bëri të ditur atë në një gazetë të përditshme. Për sa i takon takimit të të dërguarit të posaçëm amerikan me liderë të vendit komunist, ai është takimi i parë i këtij niveli i organizuar mes të dy vendeve që prej shumë vitesh. Vetë diplomati amerikan, pas largimit nga Pjonjangu, tha se të dyja palët kishin rënë në një mendje për sa i përket "mirëkuptimit dypalësh" në lidhje me rifillimin e bisedimeve për çështjen bërthamore, në të cilën, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshihen edhe Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Rusia. Qëllimi i këtyre bisedimeve ka qenë gjithmonë demilitarizimi i gadishullit korean.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›