E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Robin Hud’,legjenda nis në Kanë



Sigurisht që ai nuk ka veshur geta jeshile dhe nuk ka në kokë një kapelë me pendë. Madje, ai nuk ishte ende Robin Hud. Edicioni i 63-të i Festivalit të Kanës, i cili këtë vit kishte si ikonë femërore aktoren Juliette Binoche, u hap me një version të ri kushtuar “princit të hajdutëve”, i cili grabiste të pasurit për t’ua dhënë të varfërve. Pas disa realizimesh, që nga ai i 1922, interpretuar nga aktorë të mëdhenj, apo personazhe të animuara, varianti i regjisorit Ridley Scott, është krejt ndryshe nga të parët. është konsideruar një tjetër film legjendar, interpretuar nga aktori Russell Crowe. “Qëllimi im nuk ishte të ricikloj përbërës dhe erëza të njohura për një salcë të re, me idenë që t’ia hedhësh publikut. Prandaj është e vështirë të abstragosh mbi imazhet folklorike. Ideja ime ishte të tregoja se si ky njeri u bë Robin Hudi. Kjo është arsyeja që filmi përfundon me fjalët: “Kështu filloi legjenda”. Me pak fjalë, kam kërkuar ta gjej publikun në befasi! Duke injektuar humor, romancë, aksion dhe pak... dhunë”, është shprehur regjisori. Për aktorin Crowe, i cili nën regjinë e Scott fitoi çmimin “Oscar” si aktori më i mirë në filmin e shkëlqyer “Gladiatori”, të luante rolin e Robin Hudit ishte një impenjim i shumëfishtë. Duhet të binte shumë në peshë, për të ardhur në formën e duhur fizike, por edhe të mësonte të gjuante me hark . “Ashtu si të gjithë, në mendjen time kisha ngulitur imazhin e Robin Hudit, që plaçkiste të pasurit për t’ua dhënë të varfërve. Qysh fëmijë kam parë versionet me Douglas Fairbanks dhe Errol Flynn. Nuk bëhet fjalë që unë të vë duart në ijë e t’ia plas të qeshurit. Qëllimi ynë i përbashkët, së bashku me regjisorin ishte që të fillonim nga zeroja, për të kapur thelbin e këtij njeriu dhe për të rindërtuar mitin. Natyrisht, që më është dashur të mësoj të gjuaj me hark, çka nuk ishte e lehtë, por që më ka dhënë një kënaqësi që nuk e prisja. Sidomos koha mes nisjes së shigjetës dhe fluturimit parabolik, përpara se të arrijë objektivin e saj. Të punosh me Ridley çdo herë është stimuluese dhe rraskapitëse fizikisht. Nuk më pëlqen të ankohen për shkak se në të njëjtën kohë është një privilegj i madh të bëhesh pjesë e kësaj atmosfere unike”, është shprehur aktori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›