Raida Petrela - Kodet e jetës së pediatres
Ta takosh një mjeke në kohën kur përparësen e bardhë e ka lënë në punë, sigurisht që është më mirë sesa pas tryezës së punës, duke të plotësuar recetën me ilaçe. Edhe vetë mjekja pediatre Raida Petrela, këtë ka kohë të preferuar. Muzika, udhëtimet e gjata, orë meditative, këto janë ato çka mbushin hapësirën e lirë të mjekes.
Ani Jaupaj
Sado që në takim me një mjeke shkon krejt e zhveshur nga ideja e përparëses së bardhë, sikur nuk i shpëton dot idesë së stetoskopit. Sado që në shtëpinë e madhe vëmendja hutohet pas çdo hapi nga antikuarët e vendosur nëpër të gjitha qoshet e shtëpisë, prania e mjekut të bën të ndihesh sikur nga çasti në çast do të shfaqet befasisht temperatura e lartë. Por në fakt, e gjithë kjo ndjesi zbehet sepse mjekia pediatre, as që e ka ndër mend të flasë për sëmundjet a problemet e fëmijëve. Jo se nuk e mundojnë, por se përpiqet gjithnjë që t’i lërë në pjesën e parë të ditës ato shqetësime, kohë kur edhe gjendet pranë tyre. Pasditen do ta ketë të gjithën për vete. Me siguri që në atë heshtjen meditative që kalon në këndin e saj të preferuar në dhomën e pritjes, ju rikthehet edhe njëherë buzëqeshjeve të venitura të fëmijëve prej sëmundjeve, por nuk i shpërfaq. Mirëpo nuk nevojiten të kalojnë më shumë se disa minuta që këto ndjesi të harrohen. Raida zë vend në divanin me pamje nga dritarja, dhe i futet me dëshirë një bisede që do preferonte të bënte çdo pasdite, me mikeshat e saj. Ka edhe ditë që këto orë preferon t’i kalojë duke dëgjuar muzikë, duke iu rikthyer kujtimeve të udhëtimeve të shumta nëpërmjet fletëve të albumeve fotografike, duke gatuar në vendin më të preferuar të shtëpisë, kuzhinën. Janë këto pra orët e një mjekeje larg pacientëve. Orë në të cilat, për një ditë, u gjendëm ne. E natyrisht që përveç një prezantimi të vetes, ku më mirë mund të gjendej doktoresha, përveç se në ato ditë larg së rrëmujshmes së përditshme. Austri, Amerikë, Paris, Itali, Londër, Argjentinë... Nëse të gjitha këto emra ju duken si ndonjë paketë me ofertë që keni parë së fundmi në vitrinat e agjencive turistike, ne i kemi të gjitha albumet me vizitat përkatëse, në duar. Tani ka ikur krejt ndjesia e përparëses së bardhë, ndihet vetëm aroma e kujtimeve që vjen prej vendeve të largëta...
Në fillim ishte ndjesi tjetër, por tani, në zbulim e sipër të pasioneve tuaja, po harrohet që përballë është një mjeke... Mos ndoshta ka të bëjë kjo me artistin që keni në shtëpi, bashkëshortin, Besnik Petrelën?
Padyshim që një pjesë të mirë të dëshirës sime për të njohur e ndjekur artin ma ka përcjellë im shoq. është e pashmangshme, pasi pasditet a mbrëmjet janë shpesh në ndjekje të aktiviteteve të tij artistike. Madje janë aq të shumta sa që nuk mund t’i ndjek dot të gjitha. Angazhimet e mija profesionale kërkojnë gjithashtu kohë.
Duket sikur pas orës 16:30, kur largoheni nga spitali, i keni lënë pas pacientët. është ndonjë pjesë tjetër e ditës kur ju riktheheni?
Patjetër, përndryshe puna e një mjeku nuk do të ishte më e dobishme, nëse nuk do të qëndronte gjithnjë në korrent me të rejat e përditshme të shkencës. çdo darkë zhytem në këto kërkime për t’i shërbyer profesionit tim. Për më tepër, që përveç shërbimit të fëmijëve, më duhet të merrem edhe me leksionet e studentëve, kështu që puna dyfishohet.
Kur arrini t’i bëni të gjitha, shëtitjen e pasdites, gatimin, leximin...
Duken të lodhshme edhe vetëm t’i shqiptosh, por ja që duhen bërë të gjitha. E rëndësishme është të dish të menaxhosh mirë kohën, po e racionove, ngelet vend për gjithçka. Përgatitja e darkës, bisedat me një mikeshë, nevojat e shtëpisë, të gjitha këto nuk e kalojnë orën 21:00. Mandej, orët janë në shërbim të punës. Në familje funksionon një kod i heshtur, në këtë orë, unë, im bir, dhe im shoq zëmë vendet tona përpara kompjuterëve, pa shqetësuar njëri-tjetrin.
Megjithatë, me një natyrë si e juaja që ju pëlqejnë shëtitjet, daljet, shfaqet a teatrot, nuk mund të jetë përditë kështu...
Jo, ka edhe mbrëmje kur ndihemi të lodhur e dalim, ashtu si ka të tjera që kemi vizitorë në shtëpi e duhet t’u kushtohemi. Po situatat nuk janë standarde. Ndodh edhe që im shoq të më telefonojë pa u kthyer në shtëpi e të më ftojë për një gotë verë.
Më pëlqejnë kur më bën surpriza të tilla, janë orë çlodhjeje. Keni gjetur një gjuhë të përbashkët komunikimi...
Po dhe i jam shumë mirënjohëse për këtë, është shumë e rëndësishme të gjeturit e kodit të përbashkët. Të bëhet jeta shumë më komode dhe e bukur. Secili nga ne ka hapësirën e vet ku tjetri nuk ndërhyn. Padyshim përjashtuar rastet që kemi nevojë për mendimin dhe mbështetjen e tjetrit.
E me të gjitha këto, shoh që një pjesë të mirë të kohës e keni kaluar duke udhëtuar...