Natasha Bega - Të divorcuar, por sërish një familje
Sonila Merolli
Kur nis bisedën me të për pak e harron realitetin, e megjithatë është pikërisht ajo që të sjell me këmbë në tokë. Një ngacmim i brendshëm, shkaktuar nga nevoja për të përcjellë një mesazh mbi ngjarjet e fundit politike që e shqetësuan, ashtu pa sforcime, e shtynë të rrëfehet përtej piktores dhe poetes që të gjithë njohim. Kjo ishte pikënisja që Natasha Bega të rrëfente copëza dhe episode nga jeta e saj, që deri më tani i kishte mbajtur brenda vetes, e zhytur në atë botën e saj të larmishme të krijimit. Piktorja rrëfen për gruan, nënën, bashkëshorten, partneren, që nga koha kur shkonte në punë me biçiklete si mësuese fshati, e deri tek "urdhri i brendshëm" për të ikur në Zvicër, e më pas rikthimi për të gjetur shpirtëroren e humbur në art. Një kthim duarbosh, por Natashën asgjë nga këto nuk e shqetësonte. Të rëndësishme ishin ndjesitë shpirtërore, ndërsa të tjerat vinin dhe iknin. Ajo besonte se dikur, diku do të bënte diçka që do të mbetej në jetën e saj, jo për të qenë në qendër vëmendjes, sesa për të plotësuar misionin që i ishte caktuar në jetë: një thirrje që i vjen nga shpirti, thirrje e formësuar në pikturë. Andaj edhe shprehja që përdor shpesh është: "gjithçka është e mundur...". Vetë jeta e saj e vonë artistike, e përligj më së miri këtë shprehje. Kryekreje, pas jetës si familjare, piktorja rrëfen sesi kërkoi me çdo kusht lirinë e saj për të krijuar letërsi, piktura mbi shqetësimet, gëzimet e përditshme, të përkthyera në art.
Ju njohim si piktore, poete, por kush është gruaja, nëna, bashkëshortja? çfarë mund të na thoni mbi familjen juaj?
Kam shkruar një poezi që është gjithë domethënia ime. Familja përbëhet nga katër persona, dy fëmijët, ish-bashkëshorti dhe unë. Ne jemi gjithnjë katër, katër qiej në katër anë, jemi të ndarë, njëri në Gjermani, njëri në Zvicër, në Shqipëri, vetëm kur bashkohemi e plotësojmë këtë panoramë.
E konsideroni ende pjesë të familjes ish-bashkëshortin?
Pavarësisht nëse ruhet unaza e martesës apo jo, familja është aty. Ka raste që dimensionet njerëzore janë të tilla që nuk përputhen dot me hapësirën aktuale, kur dimensioni artistik dhe njerëzor i qenies, i personalitetit kërkon një dimension tjetër që kapërcen shumë kufij. Por kjo nuk do të thotë që ke mohuar familjen, ajo është e shenjtë për çdo njeri.
Ndodh të bashkoheni shpesh?
Një herë në vit. Kjo do të thotë që bota është e rrumbullakët, ku gjendet graviteti i familjes. Kur mblidhemi jemi një familje e madhe, nuk ka ndryshuar asgjë në raportet tona njerëzore. Ne jemi të tërë të rehatuar si të thuash. Ish-bashkëshorti është martuar me dashurinë e tij, unë bashkëjetoj prej 14- vjetësh me partnerin tim, djali me nusen e vet dhe vajza gjithashtu ka pranë shokun e saj. është një gjë shumë e madhe që na ka ndodhur, besoj është një shembull i fortë dhe i rrallë.
çfarë qëndron në themel të kësaj marrëdhënieje?
Mendoj se në bazë të kësaj marrëdhënie është dashuria, respekti por mbi të gjitha sinqeriteti. Të vërtetën tonë e kuptojmë vetëm kur jemi të sinqertë. Sinqeriteti është forca ndriçuese, një lëvizje e fuqishme brenda vetes, është intuita e natyrës. E pranoj si një ligj,pasi nuk bëj dot sikur me jetën time.
Të kthehemi në vitet kur provuat mëmësinë. Si i kujtoni ato kohë?
Kanë qenë vite të mrekullueshme! Nëse kam qenë ndonjëherë, mbretëreshë, ka qenë momenti kur ngjizja në bark dy fëmijët e mi. E ngazëllyer u kam bërë 'pajën', duke prekur çdo gjë vetë. Jorganin, dyshekun, jastëkun i kam qëndisur me fije mëndafshi, për mos të dëmtuar lëkurën e bebeve të mi, pasi makina qepëse e forconte tegelin. I kam gëzuar jashtë mase ato muaj, duke u marrë me çdo detaj rreth tyre. Linda dy fëmijë afër njëri-tjetrit. Një moment krijimi që më ndoqi tërë jetën, edhe pse më vonë krijimi u konvertua në formë tjetër. Krijimi ka forcë të shumëfishojë veten, të zbulojë anë të panjohura. Mbi të gjitha, raporti i fëmijëve me veten e tyre, është se fëmijët rrisin prindërit dhe jo e kundërta. Fëmijët lindin që prindërit e tyre të njohin veten, universin, ligjet e natyrës, të kuptojnë shumë gjëra, një prej tyre që nuk je perfekt, sesa kur bëhesh me fëmijë. Shpeshherë u them se ju më keni bërë! U them se ju jeni vetja ime që dilte prej meje, teksa i shikoja në distancë. Janë ca ndjesi që vetëm fëmijët t'i japin.
Po tani që po jetojnë jetën e tyre, ju vjen keq që nuk i keni pranë?
Nuk jam për marrëdhënien e ngjitur, posesive. Fëmijët nuk duhen mbajtur 'nën sqetull', kur është e panevojshme. U kam dhënë liri fëmijëve të mi, kësisoj edhe vetes. E perceptoj lirinë si një shenjë të lartë të identitetit njerëzor, për t'u realizuar, jo për ta keqpërdorur atë, por për qëllime të forta. Nuk duhen vënë pengesa, pasi liria është forcë, me të cilën bëhen realizime të forta, përndryshe mungesa e lirisë do kthehej në energji negative. Nuk mundem dot të shtirem, pasi më pas marrëdhënia kthehet në formale. Njeriu lind vetëm, vjen në tokë si një ekuilibër dhe duhet të ndjekë rrugëtimin e tij.
U larguat drejt Zvicrës, kur fëmijët ishin ende të vegjël. Përse e morët një vendim të atillë?
Asokohe kuptova se kisha nevojë të largohesha, të bëja diçka për veten time në një dimension më të plotë. Djali ishte 17- vjeç ndërsa, vajza 15- vjeçe, pra një moshë delikate. Ishte e pashembullt ajo që po më ndodhte, pasi nga nëna pritet çdo gjë, ajo është e kryqëzuara e shtëpisë. Ndieja se nuk mund të kryqëzohesha, pasi brenda meje kishte vizione, dimensione dhe një lëvizje që më duhej ta kryeja, për të zbrazur, atë çka kisha brenda. Mbi të gjitha do isha hipokrite me fëmijët e mi, pasi isha pikërisht unë që i kisha mësuar t'i respektojnë energjitë e tyre, nuk i kam edukuar qaramanë, duhet t'i kapërcejnë pengesat njerëzore. Megjithatë forca ime ishte shumë e madhe. Unë i mbroja nga larg. Për fat, largësia ime nuk ndikoi në ndonjë protestë të tyre, pasi siç ma kujtojnë shpesh tani u kam dhënë një fëmijëri tejet të lumtur, sidomos 'festat' tona. Asokohe punoja si mësuese në një fshat larg Tiranës, dhe çdo ditë përdorja biçikletën për të shkuar në punë. Kishte raste, që e ndjeja të nevojshme të rrija me fëmijët e mi, dhe u thosha sot kemi festë. Aty krijonim poezi, kërcenim, këndonim.
Teksa shihni fëmijët tuaj, ndiheni një nënë e realizuar?
Ata dinë të duan, kanë një karizëm të madhe dhe një vullnet të pashembullt. Kjo është arritja më e madhe dhe i falënderoj që më çojnë në dimensione të këtilla. Ajo çka ka rëndësi për mua është se ata nuk bëjnë sikur, por janë të vërtetë në jetën e tyre. Sigurisht me përpjekjet që u sjell jeta. Në këtë drejtim jam e kënaqur dhe them që sprova që në moshë të vogël, u ka bërë mirë.
Për vite me radhë, jetuat në Zvicër. ç'ju ktheu sërish?
U ktheva në vitin 1996, kur të gjithë donin të iknin. E ndjeva veten në ekuilibër këtu, në lagjen ku u planifikova, pa e ditur. U ble një shtëpi, më pas edhe studioja e pikturës. U ktheva pa pikturat e mija, me pak lek, pasi edhe ato që kisha grumbulluar i ndava me vajzën time,e cila sapo kishte ardhur në Zvicër për të studiuar. U ndamë prapë, pas një viti që ajo kishte ardhur. Erdha me duart bosh dhe këtu filloi.
Jeni penduar?
Besoja se kisha një mision të fuqishëm në veten time, për mos ta parë më botën në syrin material. Materia po shkatërrohej dhe dukej sikur bashkë me të po ikte dhe shpirti. Erdha si një ekuilibër shpirtëror, për më tepër isha e trishtuar me artin tim dhe si të thuash shpirtërorja ishte materializuar në art, ishte bërë e fuqishme, në të njëjtën kohë dhe e rrezikshme. Nuk e vura në balancë se çfarë po ndodhte.