E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapedanët e politikës

Të gjithë jemi mësuar tashmë me gjuhën e butë dhe të urrejtjes. Opinioni publik e ka më se të qartë se përse, kur, ku dhe si përdoret! Teksa dëgjon politikanët e spektrit të majtë, të djathtë dhe në qendër, kupton se sa i ëmbël dhe i hidhur në të njëjtën kohë është pushteti aq i lakmuar prej tyre. Në arenën publike dhe mediatike, janë formëzuar në kohë dhe hapësirë kritikët e suflerët, të cilët përpos deklarimeve nuk japin asnjë alternativë të besueshme për qytetarin taksapagues. Në vend që të hidhen themelet e bashkëjetesës dhe bashkëveprimit, shumëfishohen rrënjët e një të ardhmeje të zymtë. Në zhargonin e ditës se kush e solli në krye, përse dështoi dhe a ka faj lideri që e stimuloi kaq kohë, vjen ajo që quhet në politikëbërje lufta e bërrylave, e cila ka ekzistuar, vazhdon dhe do të ekzistojë sa kohë që ne nuk njohim hierarkinë, ndjenjën e fajit, të faljes dhe në fund të largimit me nder dhe dinjitet, ashtu siç veprohet në botën e qytetëruar dhe me shumë demokraci. Të pafajshmit mbeten në pozicion e tyre të pritjes, ndërsa ata që përgatitën katrahurën elektorale, sot e kanë shumë të lehtë të lajnë duart, duke i mbushur faqet e gazetave se gabimi mbetet te njëshi, që për historinë disavjeçare të pluralizmit politik në Shqipëri mbetet më i sulmuari dhe i anatemuari.

Brezat që e kanë njohur kohën e komunizmit janë përpjekur të kuptojnë dhe të vlerësojnë se pa kapacitete determinante në jetën politike dhe shoqërore nuk ka ardhmëri të këtij vendi. Ndryshimi nuk ndodh në një ditë, një muaj apo në një vit; ai vjen natyrshëm dhe me bazë të shëndoshë. E kundërta ndodh me karrigedashësit, të cilët për hir të interesave të tyre klanore dhe farefisnore, janë në gjendje të shesin cilindo, që për një arsye apo për një tjerët nuk arrin objektivin e radhës. Lufta e etshme për pushtet e të vegjëlve në krye të partive fantazma shkon deri atje sa të mohojnë veten e tyre si e si të realizojnë qëllimet jopublike, por personale dhe të rrethit të tyre.. Sot partitë politike pa peshë dhe akses në jetën shoqërore u ngjajnë SHPK-ve me një ndryshim jo më me të drejta të kufizuara, duke i paraprirë kështu të pameritueshmes. Ndërsa kërkohet dorëheqja e "të mëdhenjve", të vegjlit jo vetëm nuk ndryshojnë, por as nuk kanë ndërmend të largohen nga istikami politik. Prisnim me ndërgjegje të plotë që krerët e partive që kanë vetëm emrin të reflektonin pozitivisht për atë çka ndodhi më 28 qershor, një tjetër pasqyrë e dhimbshme po na paraqitet, luftë pa princip kundër dy të mëdhenjve, të cilët falë elektoratit të tyre e kanë tashmë të garantuar lojën politike dhe mediatike.

Frontet e shpallura sa në njërën dhe në tjetrën parti të madhe nuk dëshmuan kohën e artë të politikës ekuilibër. Treguesi i kësaj sjellje bastarde ka vite që po shtrin tentakulat në çdo familje, e cila e mësuar me zhgënjimin e radhës e ka të vështirë të besojë se një ditë fati do të trokasë në dyert e tyre dhe se fëmijët nuk do t‘i vuajnë më pasojat e një politike aspak të ndershme dhe koherente.

Duke u ndalur se çfarë po bëhet sot për të rrëzuar njërën palë dhe për të ringritur palën tjetër, kuptohet gjithçka që bëhet në emrin "popull", që është veçse demagogji dhe asgjë më shumë. Karrigedashësit e vjetër dhe të rinj dalin dhe trumbetojë me të madhe humbësit dhe fitimtarët, bëjnë një luftë të paprincip dhe aspak morale ndaj morales dhe njerëzores, kjo e fundit më e shenjta për një demokraci të pastër dhe të civilizuar. Aspirantët qytetarë për anëtarësim dhe lëvizje të lirë në BE pengohen pikërisht nga "hienat" e politikës. Çdo kush me të drejtë mund të pyesë se me sa pasoja ka qenë ky tranzicion i tejzgjatur?!

Nga Vermoshi në Konispol dhe ai që nuk e ka ditur kohën e kaluar sot, vlerëson se prindërit e tyre kanë pasur si ide një alternativë ndryshe dhe që për ironi të fatit është kthyer në bumerang. Pjesa më e ndërgjegjshme për çudi bën lojën e të paditurit, duke i shërbyer me apo me qëllim abuzivizmit. Duke menduar këtë kastë politike që ka mbërthyer në vite ardhmërinë e Shqipërisë, cilido prej nesh me bindje politike të caktuara mund të gjykojë me gjakftohtësi se në këto vite ka pasur vetëm njerëz të përdorur. Përballë asaj që duket, dikush pasurohet pa meritë, të tjerë varfërohen dhe në fund do të stimulohet klasa e re e biznesit të pamerituar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›