Porcelani i punishtes së Sevres
Shija për objektet kineze ishte mjaft e përhapur në ambientet e elitës europiane. E gjithë kjo kureshtje e dëshirë për t‘i përvetësuar solli me vete, mbi të gjitha, luksin e të pasurit të objekteve të porcelanit kinez. Për shkak të largësisë, apo për shkak të dëshirës për ta pasur të gjithin për vete, alkimisti J.F.Bòttger arrin të zbulojë sekretin e ruajtur me aq xhelozi nga Kina e largët. Ishte një rast i lumtur ky, ndaj edhe në vitet ‘700 në Europë lulëzuan një numër i madh punishtesh porcelani. Fillimisht ambicia shkonte deri në justifikimin "për përdorim shtëpiak", që më pas arriti në një perfeksion që nuk kishte asgjë më pak se porcelani i Lindjes. Rokokoja delikate më në fund kishte gjetur materialin ideal për t‘u shprehur më së miri. Punishtja e parë e porcelanit në Francë lindi në Vincennes. Ajo u bë e famshme për prodhimin e luleve. Me t‘u transferuar në Sevres, me ndërhyrjen e Madamë De Pompadour, dashamirëse e veprimtarive kulturore në mbretërinë e Luigjit XV, ajo u quajt punishtja mbretërore. Në shumë pak vite u bë e famshme jo vetëm për lulet, por edhe për objektet e rafinuara të tavolinës, për vazot gjigande që përdoreshin për ornament kopshti, e mbi të gjitha për ngjyrat e papërdorura deri më atëherë si e kuqja Pompadour, "bleu du roi", e verdha, jeshilja, por edhe për statujat e vogla. Pikërisht nga kjo punishte dolën edhe pllakat karakteristike të porcelanit, të cilat përdoreshin si zbukurim për mobiliet e stilit Luigji XV, ashtu si edhe basorelievet delikate për dekorimin e mureve. Për të fuqizuar fabrikën, Mbreti, me këshillë të Pompadour, një herë në vit organizonte në pallatin e Versajës një ekspozitë të objekteve të prodhuara nga kjo punishte, të cilat oborrtarët ndiheshin të detyruar t‘i blinin. Paratë e përftuara shërbenin për të mbështetur artistët, në mënyrë që të arrinin nivele maksimale prodhimin mbretëror. Në vitet e Revolucionit Francez, punishtja, nga "mbretërore", u quajt "kombëtare". Ndryshimi mbeti vetëm në cilësim, sepse shprehitë artistike të punishtes së porcelanit të Sevres mbetën të pandryshuara.