E Shtunë, 31 Tetor 2026

PER KULTUREN, POLITIKEN DHE URREJTJEN

Kolegu dhe miku im, Ardian Vehbiu, një nga njerëzit më të kultivuar të brezit tim, para disa kohësh, në një shkrim të tij, pak a shumë, thoshte se ne, njerëzit e medias, e në përgjithësi opinionbërësit e kulturës, që shtyhemi kohë pas kohe e japim mendime apo trajtojmë çështje nga më të ndryshmet, nuk po e bëjmë edukatë që të citojmë njëri-tjetrin, pra të rimarrim idetë e kolegut dhe ose të polemizojmë me to, ose t‘i vlerësojmë e, në këtë rast, t‘i shtyjmë më tej me shembuj e vëzhgime të reja, ose t‘i ballafaqojmë me idetë që qarkullojnë në arealin jashtë nesh, pra me idetë e kolegëve tanë europianë apo më gjerë. Ka shumë e shumë arsye pse kjo nuk ndodh, por ka një shpjegim që nuk mund të mohohet, ka një arsye mbi të gjitha arsyet pse ne nuk përfillim të mbështesim apo të polemizojmë me idetë e kolegëve. Ky shkak dhe kjo arsye është egocentrizmi ynë provincial. Ne nuk e ndiejmë ende veten pjesë të qytetit, por jetojmë si kapadainj katundi dhe kemi për ishull vetëm unin tonë.

Më 19 korrik 2009, në gazetën "Shqip", Falma Fshazi botoi një shkrim me titull "Kultura jonë politike". Kolegia Fshazi, duke folur për politikën dhe kulturën, për vendin që zë politika në jetën e shqiptarëve të sotëm, mes të tjerash, thoshte: "... ka rreth një shekull që politika është buka e gojës dhe ajri që thithim dhe ne nuk ditëm kurrë ta kthejmë atë në mjetin që prodhon bukë për të gjithë e që pastron ajrin e të gjithëve". (Gazeta "Shqip", 19.07.09, f.8). E citova me kënaqësi këtë pjesë nga shkrimi i koleges Fshazi dhe kam dëshirë t‘i rikthehem argumentit që përshkruante ajo për disa arsye. E para se shkrimi i saj ishte me të vërtetë i bukur dhe hapte shteg për debat, e dyta se kështu ndoshta plotësoj edhe një dëshirë të kolegut dhe mikut tim, Ardian Vehbiu, i cili dëshiron dhe mëton se ka ardhur koha që ne të citojmë dhe të rimarrim shkrimet e kolegëve tanë dhe e fundit, se këtij argumenti, pra argumentit të politikës dhe të kulturës politike, unë dua t‘i shtoj edhe një përmasë tjetër. Kolegia Fshazi thotë se ne nuk po arrijmë që ta bëjmë politikën e ta kthejmë në "mjet që prodhon bukë për të gjithë dhe në mjet që pastron ajrin e të gjithëve". Jo vetëm kaq, por ne po lejojmë që politika të prodhojë urrejtje dhe ndarje, konflikte dhe tragjedi. Ne, siç thonë sociopsikologët Wallon, Lacan e Frojd, jemi në atë fazën fillestare ku njeriu sapo është ndarë nga mjedisi dhe nga të tjerët dhe ka nevojë të projektohet diku. Duke qenë të brishtë e të vegjël, ne kemi nevojë gjithmonë që të projektohemi diku. Në këtë rast, meqenëse jemi popull gati pagan, ne kemi nevojë për prijës të fortë dhe kemi nevojë gjithashtu që të hedhim mbi atë të gjithë mbrapshtitë, forcën, dobësinë tonë, kemi nevojë të shohim tek ai shpëtimin tonë.

Në historinë e re të shtetit shqiptar, pra në këta 100 vjet, ne kemi pasur një mbret, një diktator dhe ka njëzetë vjet që kemi nëpër sy Sali Berishën. Ky i fundit ka filluar të jetë për një pjesë jo të vogël të shqiptarëve projektimi i imazhit të tyre të brishtë. Në figurën e tij, një pjesë e madhe ka projektuar frikën, brishtësinë, anën e errët që nuk e shfaq dot. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që Sali Berisha është i vetmi ish-komunist i konvertuar në demokrat që po mbijeton ende në politikën shqiptare. Këtë radhë, ashtu siç po vërtetohet për ditë, ai e mbajti pushtetin dhe nuk e dorëzoi atë në mënyrë demokratike, por të mos harrojmë se është edhe një pjesë jo e vogël shqiptarësh që ka nevojë për të. Dhe ja një shembull. Para disa ditësh, një ish-miku im dhe ish-eprori im u bë deputet i Sali Berishës, domethënë i PD-së me zgjedhjet e 28 qershorit. Pas kësaj, ai gati u zhbë. Në ç‘mënyrë? Ja ngjarja. Isha në një ditë të zakonshme provimi në universitetin "A. Xhuvani", ku punoj si pedagog. Ish-miku im, ish-kolegu dhe ish-eprori im, më kishte dërguar një mesazh dhe më kërkonte që unë të kisha parasysh dhe t‘i shikoja me dashamirësi tre studentë. Dhe unë ashtu bëra, dy i ndihmova dhe njëri nuk mund të kalonte. Po atë mëngjes, ish-miku im, ish-kolegu im dhe ish-eprori im, që tani është deputet i PD-së, më çon një mesazh dhe më kërkon të ndihmoj edhe një studente, e cila kishte po atë ditë provim me mua. Dhe atë ditë ai ngjitet në katin e katërt ku unë po bëja provim dhe tejet i mërzitur më tha se nuk e priste që unë nuk e kisha respektuar dëshirën e tij, por kisha ngelur atë që ai më kishte thënë që unë ta shihja me dashamirësi. Nuk po e njihja më mikun tim. Tani ai po fliste si deputet, si politikan. U largua, zbriti poshtë dhe i thotë një rrugaçi që kishte një kushërirën e tij në provim me mua dhe për të cilën ai më kishte thënë që ta shihja mundësinë për ta ndihmuar, se unë nuk do ta ndihmoja. Pra, ish-miku im e nxit rrugaçin dhe ky rrugaç ngjitet në katin e katërt ku po zhvilloja provim dhe bën një të tillë skandal, që detyron policinë të ndërhyjë. Natyrisht, rrugaçi e mori përgjigjen aty në vend dhe tani çështja është në gjykatë. Por ajo që më ka lënë të çuditur këto ditë, është shfytyrimi i ish-mikut tim. Ai, duke u ndier deputet dhe politikan, duke pasur si prijës Sali Berishën, e ndien veten të fortë. Ai është i projektuar tek ai dhe identifikohet me të dhe njësoj si ai nuk e ka për gjë që të fyejë ish-miqtë e tij, nuk e ka për gjë që të nxisë rrugaçët të zihen me miqtë e kolegët e tij. Ai tashmë është politikan, është deputet dhe po bëhet gati që të shndërrohet në një tjetër qenie. Udhë e mbarë ish-miku im!

Duke përfunduar këtë argumentim, do të doja t‘i thosha koleges Fshazi se politika shqiptare jo vetëm që nuk po bëhet mjet që të prodhojë bukë për të gjithë, por është shndërruar në një mjet që të deformon psikën e të kultivon urrejtjen. Kështu i ka ndodhur ish-mikut tim. Nuk dua ta besoj se kështu mund t‘u ketë ndodhur të gjithëve atyre që ashtu si ish-miku im, lanë profesionin dhe u bënë deputetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›