E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo: Gara në Serinë A është e hapur

Fabio Keplo flet në 360 gradë për futbollin italian. Duke filluar nga gara për titullin, për të cilën beson se është e hapur, për të kaluar te huazimi i Bekham te Milani dhe te lëvdatat për Antonio Kasanon. Aventura e trajnerit italian me "Tre Luanët" ka filluar në mënyrë të jashtëzakonshme, por pavarësisht se kalon pjesën më të madhe të kohës në Angli, ai vazhdon të ndjekë me vëmendje zhvillimet në Serinë A. Madje, i pëlqen ajo që po dhuron ky sezon: "Deri më tani ka qenë një kampionat shumë interesant, tha Kapelo. Skuadrat kryesore si Roma, Juventusi apo Milani fillimisht kanë vuajtur, ndërsa siguri dha vetëm Interi. Në tri vitet e fundit zikaltërit kanë qenë skuadra më e mirë dhe vazhdojnë të kenë skuadrën më të kompletuar. Megjithatë, mendoj se është ende herët për të bërë parashikime: janë luajtur vetëm javët e para dhe duhet të kemi parasysh ambiciet në kupat evropiane, të cilat mund të ndikojnë gjatë rrugës". Më tej, "Don Fabio" shtoi: "Më kanë mahnitur rezultatet e skuadrave si Napoli, Xhenoa, Atalanta dhe Lacio. Kanë punuar shumë dhe gjatë këtij sezoni i kanë përmirësuar ndjeshëm pozitat e tyre në klasifikim. Duke mbajtur në konsideratë faktin se fillimisht ato synonin vetëm mbijetesën, tashmë i kanë të gjitha të drejtat që të vazhdojnë të ëndërrojnë. Ambicia është gjithmonë e mirë". Ish-trajneri i Romës, Realit të Madridit dhe Juventusit, ka folur edhe për Kasanon dhe Bekham. "Pas paraqitjeve të mira të Antonios jam njeriu më i lumtur në botë, pasi vazhdimisht kam folur me superlativa për të, vazhdoi 62-vjeçari. Nuk e di nëse i nevojitej ambienti i duhur, në një klub mesatar, por mund të them se tashmë është rikthyer Kasano i vërtetë. Bekham te Milani? Ende nuk dihet nëse është një marrëveshje e përfunduar apo jo. Gjithsesi, mund të them se ai është një profesionist i vërtetë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›