E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo: Lojtarët e Premiership do të shkëlqejnë në EURO 2008

Fabio Kapelo mendon se lojtarët e kampionatit anglez do të shkëlqejnë gjatë Kampionatit Evropian. Trajneri i përfaqësueses angleze, ndonëse nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë turne, ka vendosur të shkojë në Austri që të ndjekë nga afër Kroacinë, kundërshtaren më të fortë të grupit të eliminatoreve të Botërorit 2010. Por ai nuk ka ngurruar të tregojë për gazetën britanike "The Mirror" se lojtarët më të mirë të kampionatit anglez do të shkëlqejnë në këtë turne, duke përmendur si favorite kombëtaret, lojtarët e të cilave aktivizohen në Premiership.

"Favoritet e mia janë Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja. Ndoshta edhe Portugalia", u shpreh ai, duke theksuar se Rumania mund të jetë surpriza e këtij edicioni. "Lojtarët më ndikues do të jenë Kristiano Ronaldo dhe Fernando Torres, përkrah Frenk Riberi të Francës, ndërsa Luka Toni dhe Andrea Pirlo do të jenë vendimtarë për Italinë. Të gjithë presin me padurim të shohin nëse Kristiano Ronaldo mund të bëjë për Portugalinë atë që ka bërë gjatë sezonit me Mançester Junajtid, ndonëse Portugalia nuk është një lojtar i vetëm. Stili i Portugalisë është si i Spanjës, shumë pasime dhe mbajtje e topit. Po të shohësh Spanjën, me Fabregas dhe Torres kanë krijuar ekipin me më shumë cilësi teknike. Është e pabesueshme! Ata kanë mesfushën më të mirë në Evropë: Fabregas, Ksavi dhe Iniesta. Por ata dështojnë gjithmonë në fazën finale dhe unë nuk e kuptoj pse. Kur isha në Spanjë, e diskutoja shpesh një gjë të tillë. Kur merr pjesë në një turne, tifozët dhe mediat mendojnë se kanë skuadrën më të fortë në Evropë apo botë, por janë të sigurtë se nuk do të arrijnë as në gjysmëfinale. Ky është një problem i madh. Kjo sjell frikë në skuadër kur luan kundër ekipeve të tjera forta. Ndoshta ky problem ekzistonte dhe tek Anglia, pasi unë i kam krahasuar gjithmonë këto dy kombëtare. Por këtë radhë, Spanja duhet të ketë shumë kujdes. Ata janë në një grup të vështirë me Suedinë, Rusinë dhe Greqinë. Suedia është shumë mirë fizikisht, të gjithë në Angli e njohin tashmë vlerën e Rusisë, ndërsa Greqia është fituesja në fuqi e turneut. Nuk e hedh poshtë mundësinë e një surprize", deklaroi Kapelo.

Sipas trajnerit, ekipi më i favorizuar është padyshim Gjermania, që ka gjithmonë siguri në vetvete gjatë fazave finale. "Gjermania është mes favoritëve, pasi ka një skuadër të fortë dhe besim në vetvete. Për ata ky është si një turne i luajtur në fushën e tyre. Ata kishin një skuadër të mirë në Botëror, por tani janë përmirësuar. Si askush tjetër, atyre u pëlqejnë 11-metërshat, pasi e dinë se do të fitojnë gjithmonë. Mendoj se edhe Italia do të kalojë fazën e grupeve, por nuk do ta ketë të lehtë. Nëse do të zgjidhja në grupin e tyre do të thosha se kalojnë Italia me Francën. Francezët jo vetëm janë të fortë, por edhe e dinë se çfarë duhet bërë gjatë ndeshjeve. Ata kanë Riberi, Henri dhe Anelka, ndaj janë shumë të shpejtë në fazën sulmuese. Rajmond Domenek është një trajner me fat, pasi ai mund të linte jashtë skuadre lojtarë si Klishi dhe Flamini. Por unë mendoj gjithashtu se Rumania është një skuadër interesante dhe shumë e vështirë. Ndaj do të jetë një grup i paparashikueshëm", përfundoi trajneri i Anglisë.

Parashikimi i Kapelos

për çerekfinalet

Grupi A

Portugali, Çeki

Grupi B

Gjermani, Kroaci

Grupi C

Francë, Itali

Grupi D

Spanjë, Rusi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›