E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo: Tani ëndërroj Olimpiadën

Dymbëdhjetë muaj. Kaq i ka mjaftuar Fabio Kapelos për të bindur edhe ata më skeptikët në Angli. Puna gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë e gjitha "fushë me lule": në adresë të trajnerit italian nuk janë kursyer kritikat e ashpra dhe paraqitjet e skuadrës së tij janë shoqëruar me polemika. Megjithatë, 62-vjeçari është përgjigjur me rezultate. "Tre Luanët" marshojnë bindshëm drejt fazës finale të Kupës së Botës 2010, madje kanë mposhtur 4-1 Kroacinë në fushën e saj, të njëjtën skuadër që vetëm një vit më parë shkatërroi "ëndrrën evropiane" të përfaqësueses së drejtuar në atë periudhë nga Stiv Meklaren.

Përvjetori - Kapelo zgjodhi revistën e FIFA-s për të treguar afro 365 ditët (vitin do ta festojë gjatë muajit të ardhshëm) në krye të stolit anglez. Një intervistë në 360 gradë, në të cilën ish-trajneri i Milanit, Romës, Realit të Madridit dhe Juventusit ka folur për çështje serioze. Ai është i mendimit se futbolli anglez ka nevojë për pak shpirt latin dhe shprehu se dëshiron të drejtojë kombëtaren britanike në Olimpiadën 2012, si dhe i hapi "dritën jeshile" rikthimit të Bekham dhe Ouen në skuadër. Mes të tjerave, Kapelo tregoi "kufizimet" që ekzistojnë tashmë te "Tre Luanët" gjatë grumbullimeve: nuk lejohet ngrënia e ketçapit dhe patatinave dhe ndalohet përdorimi i celularëve. Kapelo flet edhe për mundësinë që kishte tetë vjet më parë për të drejtuar këtë skuadër në arenën ndërkombëtare: "Në vitin 2000, Hauard Uilkinson, që në atë periudhë ishte trajner i përkohshëm i kombëtares (pas largimit të Glen Hodëll), më pyeti nëse isha i interesuar të merrja vendin e tij, kujton Kapelo, por Federata Angleze zgjodhi të emëronte Eriksonin. Pavarësisht kësaj, mendoj se ai nuk ishte momenti i përshtatshëm për mua. Ndërkohë, tashmë jam më i pjekur dhe i vendosur që të ndihmoj Anglinë të rigjejë shpirtin e skuadrës, pasi futbolli është refleksi i kulturës së një vendi".

Ëndrrat - Në karrierën e tij të mbushur me lavdi, Kapelo kishte dy ëndrra. Njëra u realizua me postin e trajnerit tek Anglia, ndërsa tjetra ende mbetet në sirtar. "Do të më pëlqente të merrja pjesë në olimpiadë, si trajner i kombëtares britanike. Dëshira ekziston, pavarësisht faktit se në vitin 2012 do të jem 66 vjeç, e do të kem moshën për të dalë në pension. Nuk jam aktivizuar në këtë eveniment si lojtar, një prej gjërave që më ka mbetur peng, tha italiani. Për sa i takon kombëtares, ta stërvitja ka qenë gjithmonë ëndrra ime, pasi, sipas meje, anglezët kanë qenë gjithmonë mjeshtra në këtë sport. Nuk dua të ndryshoj karakteristikat e lojtarëve të mi, por thjesht të fus aty pak nga shpirti latin, që ka dominuar futbollin evropian dhe atë botëror në dhjetë vitet e fundit. Një tjetër objektiv është që t‘i bëj lojtarët më të disiplinuar". Rreth rregullave të reja në ekip, ai shtoi: "Solla në skuadër dietën mesdhetare, vendosa disa rregulla, si për shembull ngrënia së bashku e mëngjesit dhe fikja e celularëve. Lojtarët bashkëpunuan pa problem dhe kjo tregon profesionalizmin e lartë që kanë në klubet e tyre".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›