E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, Topalli hap dyert për deputetët

Rëndohet gjendja shëndetësore e deputetëve grevistë. Shtohet ekipi mjekësor, që i viziton

TIRANË- Në ditën e katërt të grevës së urisë, 10 deputetët kanë mundur që të fitojnë vetëm të drejtën për t’u takuar me kolegët e tyre të Kuvendit, pas vendimit të marrë dje pasdite nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Deri më sot, asgjë tjetër nuk ka lëvizur nga qëndrimi i para katër ditëve i dy partive të mëdha. Ndërkohë që gjendja shëndetësore e deputetëve dje është paraqitur më e rënduar. Për këtë arsye, dje në ambientet e Kuvendit ka pasur vizita të shpeshta të mjekëve, si rezultat i gjendjes jo të mirë shëndetësore i dy prej tyre, Spartak Braho dhe Ymer Tola. Për të ndjekur nga afër gjendjen e tyre shëndetësore, por vetëm kaq, ka qenë dje edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit u interesua veçanërisht për shëndetin e Spartak Brahos, gjendja shëndetësore e të cilit ka qenë më e luhatshme e krahasuar më gjithë të tjerët. Topalli ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, që përveç ekipit të mjekëve që kanë qëndruar jashtë ambienteve të Kuvendit, të vijnë dhe ekipe mjekësh të specializuar për të kontrolluar gjendjen e tyre shëndetësore. Ajo u interesua për krijimin e kushteve brenda ambienteve, si vendosja e shtretërve, për ata deputetë të cilët kanë paraqitur probleme me shëndetin. Ndërkohë, deputetët grevistë vazhdojnë të këmbëngulin se nuk do të ndërpresin grevën e urisë, edhe pse nga ana e dy partive të mëdha nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi. Po dje, grevistët janë vizituar edhe nga një grup deputetësh belg, të cilët vetëm dje pasdite pas marrjes së lejes së posaçme janë lejuar që të vizitojnë deputetët grevistë. Sipas vendimit më të fundit të Kuvendit, vetëm deputetët do të lejohen që të futen lirisht, ndërkohë që personalitete të tjera të politikës, jashtë Kuvendit, do të jenë të detyruar që të marrin leje te posaçme. Deri mbrëmë vonë, në ambientet e Kuvendit nuk është parë asnjë përfaqësues i grupeve të mëdha parlamentare. Kryeministri Sali Berisha e ka thënë qartë se nuk do të negociojë me partitë e vogla, përveçse me PS-në. Ndërkohë, kryetari i PS-së, Edi Rama vijon turin e tij “Dialogu me Shqipërinë”, duke anashkaluar grevën e urisë së 10 deputetëve, pikërisht në sallën e seancave parlamentare, aty ku punimet nuk shihen aspak të lehta në rast se nuk gjendet një zgjidhje për miratimin pa kontestime të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›