E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri, Maradona nuk dorëhiqet

Mediat radiotelevizive argjentinase kanë spekuluar dje për mundësinë shumë të madhe të një dorëheqjeje të Diego Maradonës nga detyra e trajnerit të kombëtares, pas problemeve të vazhdueshme që ka me presidentin e federatës, Afa Julio Grondona. Mes tyre është zhvilluar një diskutim i ashpër gjatë një mbledhjeje, ku duhej të vendosej se kush do të ishin ndihmësit e tij në përfaqësuese.

Mafioz - "Do të dorëhiqet Maradona?", pyeste televizioni "Tn", ndërsa edicionet "online" të mediave të ndryshme ngrinin po të njëjtën pyetje. Në fakt, ish-"Pibe de oro", sipas këtyre burimeve, e ka braktisur në mes takimin dhe këtë e ka bërë duke përplasur portën. Maradona, gjithnjë sipas mediave, insiston, sepse do që një nga ndihmësit e tij në fushë të jetë Oskar Ruxheri. Grondona as që do t‘ia dijë për të, sepse disa kohë më parë e akuzonte atë publikisht se ishte "një mafioz". Përveç konfliktit me stafin, Grondona nuk ka përtypur as kërkesat ekonomike të trajnerit të ri, i cili ka kërkuar trefishin e asaj që fitonte paraardhësi i tij së bashku me bashkëpunëtorët. Dhe duke parë se si po shkojnë gjërat, nuk përjashtohen edhe surprizat për një prishje totale të marrëdhënieve mes Maradonës dhe drejtuesve të federatës, që i kanë besuar kombëtaren Serxhio Batistës.

Bilardo - "Kam qenë me Diegon deri në orën 18:00 dhe vetëm pas dy orësh i kam marrë vesh këto gjëra që po thuhen tani, por gjithsesi, për aq sa unë di, ai nuk e ka përmendur për asnjë moment fjalën dorëheqje". Këto janë fjalët e Karlos Bilardo, drejtorit të përgjithshëm të Argjentinës, i cili i hedh ujë zjarrit në një intervistë të dhënë për kanalin televiziv, "Fox Sports", menjëherë pas sherreve mes Maradonës e Grondonas, gjë e cila kishte bërë të hidhej në qarkullim spekulimi për një dorëheqje të mundshme të "El Pibe de Oro"-s nga posti i trajnerit të kombëtares. Ish-trajneri i Seleksion thekson edhe se "debutimi i trajnerit të ri do të procedojë ashtu siç ishte parashikuar: të mërkurën e ardhshme në Glasgou, në miqësoren kundër Skocisë. Ndërsa kur të kthehen nga kjo ndeshje, priten të zhvillohen edhe bisedimet për këtë çështje. Do të duhen të paktën shtatë apo dhjetë ditë për të bërë zgjedhjen e duhur dhe për të mos gabuar. Unë megjithatë jam në favor të Diegos dhe i kam thënë gjithmonë: Kudo që të shkosh ti, do të shkoj edhe unë". Kjo lëvizje duket si një marsh mbrapa i përkohshëm, por të presim e të shikojmë sa do të zgjasë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›